17:05 / E Mërkurë, 16 Dhjetor 2020 / A. A

MKRS ua cakton klubeve sportive datën e fundit për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor dhe të Punës

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ka kërkuar nga Komunat që klubet sportive të mbajnë sa më parë Kuvendet e Punës dhe Zgjedhorë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në departamentin e Sportit, Fitim Arifi ua ka caktuar klubeve datën 31 janar 2021 si afatin e fundit për mbajtjen e këtyre kuvendeve, shkruan Indeksonline.

Në njofimin që kanë pranuar Komunat, ministria është shprehur e vetëdijshme për vështirësitë që kanë patur klubet gjatë vitit 2020 dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive për shkak të pandemisë Covid-19, por kjo nuk do të shërbejë si justifikim për asnjë klub që të shmang mbajtjen e Kuvendit.

“Duke pasur parasysh që ky vit ka qenë i vështirë për shkak të pandemisë COVID-19, dhe shumica e klubeve nuk kanë pasur mundësinë që të zhvillojnë aktivetetet e tyre, as mbajtjen e kuvendeve të punës apo zgjedhore. Kërkojmë nga ju që të përcillni këtë qarkore tek klubet e juaja dhe pas përfundimit të vitit fiskal 2020 të mbahen kuvendet e punës dhe zgjedhorë deri më së largu 31 janar 2020” thuhet në njofimin e MKRS-së.

Gjatë vitit 2020, futbolli ka qenë sporti më aktiv në Kosovë.

Ndryshe nga sportet tjera, Superliga ka pauzuar vetëm gjatë periudhës mars-qershor kur Qeveria kishte vendosur masat për ndalimin e çdo aktiviteti.