16:35 / E Enjte, 22 Mars 2018 / indeksADMonline

MMPH me aktivitete vetëdijësuese shënoi Ditën Botërore të Ujit

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me aktivitete të ndryshme, nën moton “Natyra për Ujin” shënoi  22 marsin- Ditën  Botërore të ujit.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite u bë  shpërndarja e materialeve promovuese në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në sheshin qendror  të Gjilanit.

Po ashtu u zhvilluan edhe aktivitete vetëdijësuese me nxënës të shkollave fillore në Gjilan si dhe u mbajt tryeza me temë ”Natyra për Ujin” në kontekst të Planeve Zhvillimore Komunale, ku morën pjesë zyrtarë të komunës së Gjilanit, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava” si dhe njohës të kësaj fushe.

Në këtë tryezë në emër të MMPH-së mori pjesë zv/ministri Bashkim Musliu, i cili nder të tjerash foli për rëndësinë e kësaj dite si dhe për planet e ministrisë në lidhje me ujin.

“MMPH ne kontekst të zhvillimit të qëndrueshëm të resurseve ujore është në vazhdën  e hartimit dhe miratimit të  politikave  të reja të aspektit organizativ dhe zhvillimor si: Përfundimi i ‘Strategjisë Shtetërore të Ujërave  dhe Rregullores së Organizimit dhe Sistematizimit të Vendeve të Punës në Ministri, për të rritur efikasitetin e zbatimit të këtyre politikave në favor të ruajtjes dhe kujdesit ndaj burimeve dhe rrjedhave ujore:, përfundoi z. Musliu.

Në fund të tryezës dolën rekomandimet nga njohësit për hapat që duhet ndjekur në menaxhimin e duhur të burimeve ujore në Kosovë.