MMPH sqaron ndërtimin e deponisë për mbeturina: Nuk ka rrezik për qytetarët!
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH) ka përcjellur me vëmendje raportimet e fundit lidhur me vendimin e Qeverisë për ndërtimin e objektit (deponisë) për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë, situatë kjo, të cilën nuk e kanë mirëpritur banorët e fshatrave të Fushë Kosovës, të cilët ndjehen të rrezikuar.
Lidhur me këtë çështje, të hënën do të zhvillohet një takim mes të parit të Fushë Kosovës, Burim Berisha dhe Ministrit të Ambientit, Fatmir Matoshi.
Këtë e ka konfirmuar për “Indeksonline” vet Matoshi i cili ka theksuar se kjo situatë nuk paraqet asnjë rrezik te banorët e kësaj ane.
Më tutje, numri një i dikasterit të ambientit ka treguar se çka do të ndërmarrin në lidhje me këtë çështje.
“…Të hënën kam me taku Kryetarin e Fushë Kosovës edhe kemi me bisedu bashkë për këtë punë dhe mendojë se aty do të merrem vesh. Nuk e besojë se ka ndonjë alternativë tjetër, besojë se duhet me u sqaru mirë qysh është puna e deponisë dhe të kuptohet mirë edhe nga Kryetari edhe banorët. Por, te mbeturinat më e rrezikshme është kur ato janë jashtë, kurse kur ato hynë në deponi nuk paraqet asnjë rrezik”, ka thënë ministri Matoshi për “Indeksonline”.
Ai në fund shtoi se i siguron të gjithë se asnjë rrezik nuk paraqet për banorët e asaj ane. Sipas tij, nuk dëmtojnë shëndetin e as jetën e banorëve për këtë punë.
Ndryshe, pas kërkesës së banorëve të Fushë Kosovës, komuna të cilën e udhëheq Burim Berisha ka ndërprerë punimet për arsye procedurale, pakënaqësisë dhe refuzimit që i bëjnë bizneset që veprojnë në atë vend.
Përpos zonave rurale, kjo magazinë për mbeturina ‘prek’ edhe Stadiumin Kombëtarë me largësi prej 500 metra (vijë ajrore).
“Komuna e Fushë Kosovës vlerëson se ky objekt për të cilin nuk dimë asgjë, nuk e ka vendin në këtë zonë, sepse nëse janë materie të rrezikshme nuk mund ta varrosen në zemër të Kosovës. Ne do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet. Kërkojmë që ky objekt të zhvendoset në zona shumë më të përshtatshme që ka në Kosovë e që janë të pabanuara”, thuhet në reagimin e kryetarit Berisha.
Ndërkaq, në vendimin e Qeverisë së Republikës, të siguruar nga “Indeksonline”, theksohet se vendi ku do të varrosen mbeturinat do të jetë në fshatin Harilaq me parcelë kadastrale në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Vlen të theksohet se aktualisht Kosova përdorë fshatin e Krivovës që gjendet në ‘vijën kufitare’ mes komunës së Drenasit dhe Fushë Kosovës. /Indeksonline/
Fushë Kosova në “luftë” me Qeverinë, ndalë punimet e deponisë për mbeturinat