22:13 / E Enjte, 14 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Molliqaj krahason Vetëvendosjen me UÇK-në

Ish-Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj në Zona e Debatit në Klan Kosova ka listuar disa prej atyre që ai i ka cilësuar si dallime mes tij dhe Kurtit.

Molliqaj ka thënë se ai beson se Vetëvendosja duhet të ndryshojë varësisht prej rrethanave, derisa sipas tij, Kurti ka shprehur tendencë që Vetëvendosja të kthehet në “rrënjët e saj”.

“Çfarë kam parë prej Kurtit është fundamentalizëm politik, kthim tek rrënjët e Vetëvendosjes, edhe në metodën e punës, edhe kthim të njerëzit. Unë mendoj se Vetëvendosja ka ecur, është zhvilluar”.

“Unë e shoh nevojë për siguri absolute, kthim te rrënjët ku do të jepte shumë më shumë siguri Vetëvendosjes, mendoj se kjo është e panevojshme sepse organizatat ecin përpara”.

“Kam qenë pjesë e Vetëvendosjes prej qershorit të vitit 2005, jam takuar me z. Kurtin dhe pastaj kam marrë pjesë”.

“Unë besoj se ne kemi pasur një udhëheqje qendrore që unë jam bërë pjesë e saj në vitin 2006 me kërkesën e z. Kurtit dhe kemi qenë në përgjithësi 10 vetë. Ka qenë lojalitet, besueshmëri”.

“Z. Kurti nuk e ka deklaruar por kam parë se kjo është tendenca e tij, nëse e shihni edhe sot, njerëzit që e përfaqësojnë Kurtin janë nga gjeneza, por Vetëvendosja na ka kaluar të gjithë, edhe Kurtin, edhe mua, edhe Visarin, edhe të gjithë”.

“Kam thënë se UÇK-në e ka nisur një grup i njerëzve, ka pasur komandantë, shtab por në një moment e ka kaluar efektin e njerëzve, është bërë e popullit”.

“Njejtë besoj se edhe Vetëvendosja është e qytetarëve të saj, prandaj ndihem përgjegjës me prish ose jo”.

“Kthimi tek rrënjët është regresion”.

Molliqaj ka thënë se dallimi i dytë mes tij dhe ish-liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit është metoda.

“E dyta besoj se dallimi i joni është edhe çështja e metodës, edhe metodës së ndërtimit të organizatës edhe komunikimit brenda”.

“P.sh. Kurti beson se duhet të kemi pikënisje gjerësinë, që duhet të bëjmë skanimin e një fshati e të gjitha, pastaj të krijojmë strukturën e partisë”.

“Unë besoj se struktura e partisë, duhet të punojë me njerëz që kanë vullnet dhe gatishmëri dhe ata të ndërtojnë strukturën”.

“Unë nuk kam bërë asgjë vetë në Vetëvendosje dhe nuk jam më meritor se të tjerët”.