16:50 / E Martë, 10 Mars 2020 / indeksADMonline

Molliqaj: Kurti duhet të shkojë, përmes Kuvendit ose protestave

Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, përmes një postimi të bërë në faqen e tij Facebook, ka thënë se Republika e Kosovës është rezultat i përpjekjeve të qytetarëve tanë për liri e mëvetësi dhe këto përpjekje janë realizuar kur janë krijuar edhe rrethanat e favorshme ndërkombëtare, të cilat sipas tij lidhen më së tepërmi me SHBA-të.

Prandaj sipas Molliqajt, taksa nuk duhet hequr sepse kështu po na thonë të tjerët, por pikë së pari sepse përfundimi i dialogut me një marrëveshje që një herë e mirë mbyll të gjitha çështjet e hapura me Serbinë është interes jetik i Kosovës.

Derisa i pari i PSD-së ka thënë se kryeministri Kurti duhet të shkojë ose përmes Kuvendit ose protestave.

Ky është postimi i plotë i Molliqajt:

Këta rrethana lidhen më së tepërmi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Momentet vendimtare kur aspiratat tona janë realizuar lidhen në mënyrë direkte me politikën e jashtme amerikane. Bombardimet e vitit 1999, por edhe shpallja e pavarësisë janë kështu.

Situata e krijuar ditëve të fundit na flet për mungesë të vizionit karshi dialogut me Serbinë. Kjo mungesë e vizionit po përcillet me një abstenim absurd të Qeverisë karshi dialogut.

Taksa nuk duhet hequr sepse kështu po na thonë të tjerët, por pikë së pari sepse përfundimi i dialogut me një marrëveshje që një herë e mirë mbyll të gjitha çështjet e hapura me Serbinë është interes jetik i Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova nuk kanë dallime gjeopolitike që mund ta arsyetonin konfrontimin. Kurti nuk po e mban taksën sepse nuk po e dëshiron një marrëveshje të caktuar, por sepse obsesioni i tij me Hashim Thaçin ia ka humbur shikimin. Ky obsesion po na çon drejt avanturave e rreziqeve tërësisht të panevojshme. Dikush që nuk ka vizion as projekt për të ardhmen e vendit, që akuzon tërë kohën, por s’guxon të marrë përgjegjësi, nuk i duhet Kosovës. Dikush që reziston, për t’u dorëzuar pastaj pa asnjë efekt për të mirën e vendit, thjesht sepse e vërejti rrezikun për vete, është rreziku që i kanoset vendit.

Nuk ia kemi borxh këtë gjë, sepse po e bën për vete. Kurti duhet të shkojë, përmes Kuvendit ose protestave. Çfarëdo tërheqjeje e taksës tash është përgatitje për rrezikun e radhës, rrjedhimisht ai nuk ka më të drejtën e vendimeve për fatin e vendit.