15:58 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Mospastrimi i borës nga rrugët, po u shkakton vështirësi qytetarëve

Gjendja e rrugëve në Komunën e Prishtinës është jo e mirë pas reshjeve të borës dhe të ftoftit.

Për dallim nga rrugët kryesore shumica e rrugëve dytësore të kryeqytetit nuk janë pastruar fare nga bora, ndonëse zyrtarë të komunës e kanë thënë të kundërtën.

Mos heqja e borës nga rrugët po shkakton vështirësi edhe për vetura por sidomos për ata që ecin këmbë.

Vështirësi më të madhe në këto rrugë po hasin këmbësorët, sepse bora ka bllokuar trotuaret edhe rrugëve. Ata thonë qeverisja nuk po i kryen punët e veta për ta bërë lëvizjen më të lehtë.

Po ashtu probleme po kanë edhe ngasësit e veturave dhe për këto pengesa , sipas tyre janë si pasojë e udhëheqësve komunal të Prishtinës që nuk kanë intervenuar për lirimin e rrugëve.

Një grua e moshuar tha për KosovaPress se e ka të vështirë të dal për të marrë harçin e shtëpisë pasi që ka frikë se mos po rrëshqet në borë.

Sipas saj fajin e ka komuna që nuk i kanë pastruar rrugët ashtu qysh duhet.

“Na jemi pleq, rrëshqasim, kështu çka kemi me bë, këta duhet me dalë me i pastru ato nëpër borë po duhet me dalë me marrë harxh , me marrë diçka”, tha gruaja.

Edhe Fatmir Munishi tha se po kanë vështirësi gjatë ecjes nëpër këto rrugë ndërsa bën apel komunës që të merren me problemet e qytetarëve e jo vetëm me punët e veta.

“ Siç po e shihni edhe vet rrugët dytësore janë shumë të pakalueshme, sidomos për qytetarët nuk kanë kah t’ia mbajnë , që nuk kanë aspak interesim. Rrugët kryesorë ngapak janë të hapura, kurse këto mos vet. U kisha bë thirrje Komunës së Prishtinës le t’i kontrollon pak, ka njerëz ka fëmijë , ka gra , po i thyejnë këmbë, duar, po rrëzohen, le të jetë ma e kujdesshme pak, mos t’i këqyr veç punët e veta atje në karrige , por le të merret me punët e Prishtinës” tha Munishi.

Jo vetëm për këmbësorët por mos pastrimi i rrugëve po u shkakton telashe edhe ngasësve të veturave.

Fahri Duraku tha se është e vështirë edhe për ata që drejtojnë vetura kur ka borë nëpër rrugë.

“Po e sheh edhe vet ,kiamet , me ec nuk mundesh rrugës , as s’u dalë kush me pastru as se kanë prek”, tha Duraku

Ndërsa qytetarja Vjosa Aliu tha për Kosovapress se edhe pse janë larg qendrës vetëm 3 minuta, këto rrugë nuk të lëjnë përshtypje se je në kryeqytet.

Ajo tha se në këtë gjendje është e vështirë të ecet në këmbë ,e sidomos është vështirë për fëmijët që shkojnë në shkolla.

“Është shumë e vështirë qysh po e shihni edhe vet , kjo rrugë thuajse është 3 minuta prej qendrës së qytetit dhe me pa kështu me sy ta merr mendja që është ndonjë zonë malore që nuk munden me depërtu automjetet për me pastru. Është shumë e vështirë me ec për neve të rriturit sidomos për fëmijët që shkojnë në shkolla qysh po e shihni edhe vet”, tha Aliu

Zyrtarë të komunës së Prishtinës kanë deklaruar se shumica e rrugëve të kryeqytetit janë të pastruara nga bora edhe pse gjendja në terren është ndryshe. Pavarësisht kësaj komuna zotohet se ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve janë në terren duke pastruar borën jo vetëm në kryeqytet por edhe nëpër fshatra.