10:41 / E Diele, 04 Nëntor 2018 / indeksADMonline

MPJ: Grenada nuk e ka tërhequr njohjen e Kosovës, gënjeshtër e Serbisë

Deklaratat e zyrtarëve serb se Grenada e ka tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës, diplomatët kosovarë po i quajnë gënjeshtra.

Zëvendës Ministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi thotë se secila deklaratë e Daçiçit është gënjeshtër.

Sipas saj, shteti i Grenadës nuk e ka tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës.

“Asgjë nuk ka të vërtetë nga ato çka i deklaron Daçiçi, është e vërtete që ai ndodhet atje dhe po i takon homologet e tij, por deklaratat e tij për tërheqje të njohjes nuk janë të vërteta, njëjte sikur ato të mëparshmet.”, ka thënë ajo në një prononcim për Indeksonline.

Vuniqi ka thënë se janë në kontakt me këto shtete, të cilat e demantojnë në mënyrë kategorike deklaratën e Daçiçit sa i përket tërheqjes së njohjes.

“Edhe ne jemi në kontakt me keto shtete dhe e dematojnë në menyrë kategorike deklaraten e Daçiç për tërheqje të njohjes. Këto lojëra të pista që po i luan ai duhet të ndalen dhe do të ndalen shumë shpejt nëse BE vërtet dëshiron stabilizim të marrëdhenjeve dhe marrëveshje të paqes me Serbinë.”, ka theksuar ajo.

Sipas Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, Grenada është i nënti shtet që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Serbia prej kohës kur Kosova ka shpallur pavarësinë ka nisur një fushatë propaganduese për të treguar se shtete të ndryshme po tërheqin njohjet. Mirëpo, në të Drejtën Ndërkombëtare s’ekziston praktika e tërheqjes së njohjeve përveç nëse i ngrijnë raportet diplomatike.