MPJ sqaron pse ende nuk e kanë njoftuar Malin e Zi për ratifikimin e demarkacionit
Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar ndaj shkrimit në media se institucionet kosovare ende nuk e kanë njoftuar Malin e Zi se marrëveshja për demarkacionin është ratifikuar.
Me këtë rast, MPJ bën të ditur se marrëveshja është publikuar me 15 maj në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, andaj edhe informimi ndaj institucioneve malazeze do të bëhet përmes kanaleve diplomatike, përcjellë Indeksonline.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të MPJ-së:
Prishtinë, 29 Maj 2018 – Ministria e Punëve të Jashtme sqaron opinionin publik se njoftimi zyrtarë ndaj Institucioneve respektive të Republikës së Malit të Zi në lidhje me përfundimin e të gjitha procedurave të brendshme ligjore të ratifikimit të Marrëveshjes mbi kufijtë shtetërorë të mes të dyja vendeve do të bëhet brenda afatit të përcaktuar Ligjor, respektivisht 15 ditë pas publikimit të kësaj Marrëveshje në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Publikimi i Ligjit mbi ratifikimin e Marrëveshjes së lartpërmendur është bërë në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës më 15 Maj, 2018.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, do të njoftojë autoritetet e Malit të Zi nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe në formë të shkruar për plotësimin e procedurave të brendshme dhe për hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje.