17:42 / E Hënë, 25 Qershor 2018 / indeksADMonline

Mungon në seancë imami i akuzuar për mashtrim me faturat e kurbanëve

Në gjykimin e imamit të xhamisë së Janjevës, Shemsi Gajtanit, i cili po akuzohet për veprën penale të mashtrimit në detyrë, është shtyrë seanca e paraparë që të mbahej sot.

Arsyeja e shtyrjes së kësaj seance ishte për shkak se imami ndonëse kishte pranuar ftesën e dërguar nga Gjykata, i njëjti nuk është paraqitur në Gjykatë.

Me këtë rast kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, tha se për mosparaqitjen e imamit në Gjykatë do të lëshojë urdhëresë për sjelljen e tij me forcë për seancën e radhës, e cila do të mbahet më 19 korrik.

Të pranishëm në Gjykatë ishin edhe dy dëshmitarët Beqir Berisha e Isa Gashi, por për shkak të mungesës së kushteve për mbajtje të shqyrtimin gjyqësor të njëjtëve do t’u duhet të paraqiten edhe në seancën e radhës.

Kujtojmë se edhe seanca e kaluar ishte shtyrë për shkak se kryetarit të trupit gjykues i ishte dashur që të marrë pjesë në një trajnim.

Gajtani akuzohet se u ka dhënë kuponë të rrejshëm për blerjen e kurbanëve 5 personave me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Në këtë çështje penale, aktakuza e prokurorisë pretendon se Gajtani, në cilësi të personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka prezantuar rrejshëm kuponët e pagesave të cilët kishin paguar nga 100 euro për kurban, me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Prokuroria pretendon se kuponë në vlerë të lartcekur u ka dorëzuar pesë personave: Avdullah Kongjelit, Lutfi Bikliqit, Haxhi Esat Bislimit, si dhe Naim e Mentor Bislimit.

Sipas aktakuzës, që të gjithë kuponët e lëshuar nga ai kanë pasur numrin e njëjtë serik (006432) dhe kanë qenë të lëshuar në fotokopje.

Aktakuza thotë se i akuzuari u ka lëshuar së paku edhe pesë personave të tjerë kuponë të njëjtë në emër të po atyre pagesave të cekura më lartë, por që meqenëse këta persona nuk i kanë ruajtur kuponët, atëherë Prokuroria nuk do ta ngarkojë për kuponët e tjerë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari është arsyetuar se deri te lëshimi i këtyre kuponëve ka ardhur pasi që nuk ka pasur kuponë të tjerë./kallxo.com/