10:47 / E Martë, 26 Janar 2021 / Blerim

Munishi vazhdon pushimin, s’e ka në plan rikthimin në stol!

Trajneri i njohur kosovar, Ismet Munishi, vazhdon të jetë pa skuadër pas shkarkimit nga klubi i KF Ballkani.

S’ka ndodhur asnjëherë, por Munishi pas shkarkimit ende nuk e ka gjetur ekipin e ri.

Në një prononcim për IndeksOnlinen, trajneri kosovar tregon se nuk e ka ndërmend të rikthehet në ndonjë skuadër gjatë këtij edicioni (2020-21).

“Kam pasur oferta menjëherë pas largimit nga Ballkani. Kam nevojë për pushim. Deri në fund të këtij edicioni do të jem analist në televizionin ATV. Në fillim të sezonit të ri (2021-22) do të mendoj për projektin e ri”, ka thënë Munishi.

E nisi për mrekulli sezonin e parë me Ballkanin, por fati e deshi që në fund skuadra e tij të mos shpallej kampion.

Pas largimit nga Suhareka, Munishi nuk e hedh poshtë mundësinë që një ditë ta menaxhojë edhe ndonjë skuadër nga Shqipëria, por njëherë s’e ka menduar.

“Nuk e kam menduar Shqipërinë si opsion. Por nuk i dihet”, shtoi trajneri kosovar.

Kujtojmë se Munishi statistikat më të mira si trajner kishte me skuadrën e Vushtrrisë, të cilën e shpalli kampion të Superligës së Kosovës./IndeksOnline/