23:26 / E Enjte, 23 Qershor 2022 / OSH

Mustafa: Marrëveshja për energjinë është e njëjta me atë të vitit 2013-2015

Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se  marrëveshja e nënshkruar për energjinë nga kryenegociatori Besnik Bislimi në Bruksel është  e  njëjta marrëveshje e arritur në vitin 2013 dhe vazhduar në vitin 2015.

“Tash kjo marrëveshje nuk ka asnjë dallim nga ajo marrëveshje, sepse  thirret në preambulën e vitit 2013 dhe 2015 dhe përcakton afatet e implementimit  të atyre marrëveshjeve apo udhëzuesi siç po i thonë”, tha Mustafa në A23 në ATV.

Marrëveshja ka qëllim të ushtrohet sovraniteti i fushës së energjisë dhe parametrat janë caktuar që në 2013 dhe 2015-të, por sipas tij ka qenë politikë e LVV-së ta kundërshtoj atëherë, e ta pranojë tani në pushtet.

Në Bruksel, Kosova dhe Serbia miratuan udhërrëfyesin për implementimin e marrëveshjeve të energjisë në veri të Kosovës. Dy shtetet miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në veri. Marrëveshja ishte arritur qysh më 2013, por s’ishte zbatuar. Me marrëveshje parashihet që Zyra e Rregullatorit të Energjisë të lëshojë licencë furnizimi te “Elektroseveri”, i cili do të merret me operimin në katër komunat në veri.