13:43 / E Premte, 05 Tetor 2018 / indeksADMonline

Mustafa: Po bëhemi gati të rimarrim qeverisjen e vendit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar se partia që ai drejton po përgatitet që të rimarr qeverisjen e vendit.

Në një postim në Facebook, Mustafa ka shkruar se LDK nuk do të jetë asnjëherë pjesë e dialogut me Serbinë, as në ekipin e presidentit e as të qeverisë, transmeton Indeksonline.

Ai ka shtuar se po punojnë që zgjedhjet e parakohshme të ndodhin sa më shpejt që është e mundur.

Më poshtë postimi i Mustafës:

Të nderura veprimtare dhe veprimtarë të LDK-së

Nga ky muaj kemi filluar të intensifikojmë punën me organizatat vendore të LDK-së. Po diskutojmë për prioritetet, të cilave duhet tu përmbahemi si LDK në komuna dhe në nivel qendror, për ndryshimet që duhet të ndodhin, në mënyrë që Kosova të qeveriset mirë e pa korrupsion.

Po shkëmbejmë mendime me strukturat dhe anëtarësinë e LDK-së për temat me rëndësi të veçantë për Kosovën. Po bëhemi gati ta rimarrim qeverisjen e vendit, duke ofruar zgjidhje evropiane për proceset që na presin.

Në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar LDK doli bindshëm parti e parë. Të gjitha sondazhet e këtij viti, po ashtu, flasin se kemi besimin më të madh të qytetarëve. Por kjo nuk e mbron LDK-në nga marrëveshjet e fshehta dhe manipulimet që mund ti bëjë PDK në zgjedhjet e ardhshme.

Prandaj duhet të punojmë shumë me anëtarësinë dhe qytetarët për ta shtuar besimin e tyre në fitoren tonë të përbashkët.

LDK e ka thënë qartë se tani në asnjë rast nuk do të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë, as në ekipin e Presidentit dhe as të Qeverisë. Do të punojmë që zgjedhjet e parakohshme të ndodhin sa më shpejtë, sepse LDK ndan bindjen e pjesës dërmuese të qytetarëve të Kosovës se qeverisja e tanishme e vendit është e dëmshme për Kosovën dhe ardhmërinë e saj.

Deri në shpartallimin e këtij koalicioni, LDK nga këndi i opozitës do të mbroj interesat e vendit, në bashkëpunim edhe me partitë e tjera që i qëndrojnë besnike opozitarizmit. /Indeksonline/