23:18 / E Shtunë, 17 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ndajnë pikët Italia dhe Portugalia

Italia ka barazuar 0-0 ndaj Portugalisë në San Siro të Milanos dhe mbetet në vendin e dytë në grupit 3 të League A. Portugalia ka siguruar kualifikimin në fazën finale pas këtij barazimi të marrë me shumë fat ndaj italianëve teksa ndodhet me 7 pikë në krye.

Ndeshja nis me një ritëm të lartë dhe kjo për shkak të atmosferës fantastike në San Siro.

Brenda pesë minutave të para Italia mund të kishte gjetur golin e avantazhit, por Insigne dhe Immobile nuk arrijnë të mposhtin portierin Patricio. Italia vazhdon të dominojë takimin dhe të krijojë mundësi ndaj një Portugalie inferiore në fushën e lojës.

Immobile mund të kishte shënuar në minutën e 35’, por lojtari më në formë i miqve, portieri, i mohon përsëri golin. Një minutë më pas ishte Bonucci me kokë nga brenda zonës, por goditja e tij ishte e pasaktë.

Një pjesë e parë e dominuar nga vendasit, dhe kjo duket edhe te statistikat, me mbajtjen e topit që ishte 73%-27%. Por pas pushimit situata ndryshon. Portugezët luajnë me më tepër agresivitet në fushë dhe arrin të balancojë lojën.

Miqtë sulmojnë më tepër dhe arrijnë të rrezikojnë seriozisht portën italiane me Joao Mario dhe William Carvalho, i cili lëshon një goditje potente drejt portës kundërshtare, por Donnarumma bën pritjen e ndeshjes duke i mohuar golin. Në minutat e mbetura skuadrat luajtën për të shënuar deri në fund, por rezultati mbeti i pandryshuar.

Ndërkohë Rumania ka mposhtur 3-0 Lituaninë brenda në stadiumin Ilie Oana dhe mban gjallë shpresat për kryesimin e grupit 4 të League C. Për rumunët shënuan Puscas në pjesën e parë dhe Keseru me Stanciu në të dytën.