Në Kosovë përditë shkelet ligji për Duhanin
Edhe pse janë bërë 5 vjet që kur ka hyrë në fuqi Ligji për kontrollin e Duhanit, ende ka probleme serioze, sa i përket zbatimit të tij.
Dita Ndërkombëtare kundër Duhanit, e gjen Kosovën me shkelje të mëdha të këtij ligji dhe jo vetëm nga qytetarët, por se ky ligj shkelet dhe nga vet institucionet e vendit. Janë kafe- baret ato që konsiderohen shkelësit me të mëdhenj të Ligjit të Duhanit. E gjykatat janë ato që me zvarritjen e lëndëve, bëjnë që zbatueshmëria e këtij ligji të ngec.
Kështu pohojnë zyrtarë të institucioneve përgjegjëse, të cilët merren me monitorimin e implementimit të ligjit në fjalë.
Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë, thotë për KosovaPress, se në fillim ka pasur një zbatim jashtëzakonisht të mirë dhe se shkalla e lartë e zbatimit të këtij ligji, ka qenë një befasi. Por me kalimin e viteve gjërat ndryshuan.
“Në dy tre – vitet e fundit, ka pasur probleme serioze, sa i përket zbatimit të këtij ligji, për shkak të involvimit të ultë të institucioneve, që kanë përgjegjësi monitorimin dhe zbatimin e tij. E gjithashtu siç është theksuar dhe në Raportin e progresit edhe pamjaftueshmërisë së involvimit të politikës, përkatësisht institucioneve, në zbatimin konkret të këtij ligji. Megjithatë për këtë periudhë 5 vjeçare mund të thuhet se ky ligj ka prodhuar rezultate pozitive. Përkundër telasheve. Sepse ka krijuar mjedise të lira pa duhan… Megjithatë duhet theksuar se ky ligj, ka nevojë për një mbështetje më të madhe. Dhe ka nevojë për një involvim si të institucioneve qendrore, ashtu dhe atyre lokale, në mënyrë që zbatimi i ligjit të jetë shumë më i mirë, se që është tani. Ka sidomos probleme në sektorin e gastronomisë. Mirëpo ajo çka është shqetësuese është se edhe insti tucione të ndryshme të administratës publike, raportohen shkelje nga qytetarë të ndryshëm. Ndërkohë që nuk janë marrë masa sa duhet, që shkelësit të ligjit të dënohen ashtu siç e parasheh dhe vet ligji ”, tha ai.
Hoti teksa flet për rastet kur janë shqiptuar gjoba për shkelësit e ligjit, thotë se Inspektorati Shëndetësor, vetëm vitin e kaluar ka shqiptuar 17 gjoba, të cilat nëse përkthehen në vlerë monetare, kapin shumën e 16 mijë e 500 euro. Këto gjoba sipas tij kanë qenë të shqiptuara dhe për menaxherët e institucioneve shëndetësore, por kanë qenë të shqiptuara dhe për vet institucionet
Edhe në pjesën e parë të këtij viti, sipas tij ka pasur inspektime nga ana e Inspektoratit Shëndetësor dhe deri më tani, është shqiptuar një gjobë, për një institucion shëndetësor në vlerë prej 3 mijë euro.
Hoti thotë se për 5 vitet e para të hyrjes në fuqi të këtij ligji, ka pasur mbi 6 mijë inspektime dhe ka pasur një numër të madh të lëndëve, të cilat janë dërguar për shqyrtim në gjykata. Mirëpo ajo që është segmenti që ngec më së shumti, siç thotë Hoti është pjesa e ngadalshme e shqyrtimit të këtyre lëndëve nga gjykatat, për shkelësit e Ligjit për Kontrollin e Duhanit
Ai thotë se në bazë të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, gjoba mandatare, mund të shpërndajë dhe vet Policia e Kosovës.
Dhe se vetëm dy vitet e para, Policia ka ndarë diku 265 dënime për qytetarët, të cilët gjatë inspektimeve të ndryshme, janë gjetur duke shkelur Ligjin për Kontrollin e Duhanit.
Hoti thotë se sipas një hulumtimi të kryer nga Instituti kombëtar i Shëndetit Publik, me përkrahjen e OBSH-së dhe qendrën për kontrollin e sëmundjeve nga SHBA, ka rënie të konsumit të duhanit nga moshat e reja.
“Në vitin 2004, në bazë të të dhënave konsumi i duhanit tek moshat prej 18 deri 15 vjeç, ka qenë 6.7 për qind. Ndërsa në matjet që janë bërë në studimin e dytë në vitin 2016, këtu kemi një rënie nga 6.7 për qind në 4.4 për qind. Që do të thotë që ka rënie të konsumimit të duhanit në mesin e të rinjve. Gjithashtu ajo që është shumë indikativë dhe që mund të merret si rezultat pozitiv është duhanpirja pasive në vitin 2004, shkallja e duhan pirjes pasive të kjo grup moshë ka qenë 84 për qind. Ndërsa në vitin 2016, kjo ka rënë në 43 për qind. Pra kemi një përgjysmim të duhan pirjes pasive, e cila është e rrezikshme, po aq sa duhan pirja e dorës së parë”, tha ai.
Ndërsa thotë se ka tendencë që ky ligj të shkelet vazhdimisht.
“Duhet të jemi shumë real dhe të themi, se numri i shkeljes së këtij ligji, sidomos dy vitet e fundit, është rritur. Që tregon një tendencë që ligji të shkelet vazhdimisht. Dhe kjo siç është adresuar dhe në vet raportin e progresit për Kosovën, në pjesën për shëndetësinë, kërkon një vëmendje më të madhe politike dhe kërkon një performansë më të mirë nga ana e inspektorateve”, tha ai.
Ndërkaq Ibrahim Tërshnjaku shef i Inspektoratit Sanitar të Kosovës, thotë se që nga hyrja në fuqi e ligjit, ka pasur zhvillime pozitive, sa i përket kontrollit të duhanit dhe se kjo tregon për një ndryshim kulturor. Por çështja kryesore e mos zbatimit të këtij ligji, sipas tij është çështja e mbështetjes politike.
“Çështja kryesore e mos zbatueshme risë së ligjit, është çështja e vendimeve apo mbështetjes politike. Mbështetjes nga të gjithë akterët, udhëheqësit e shtetit, kryetarët e komunave , vet qytetarët që është e rëndësisë së veçantë, që të vjen dhe një opinion profesionist nga punëtorët shëndetësor…Një ndër sfidat më të mëdha të inspektoratit sanitar, është se ne si inspektorat kemi qenë të vetëm në zbatueshmërinë e këtij ligji. Sepse kompetencat e dhëna nuk janë vetëm të inspektorëve sanitar. Ka dhe të inspektorateve tjera, të cilat nuk kanë dëshmuar dhe nuk kanë treguar efikasitet. Një problem tjetër që duhet të jemi shumë korrekt në raport dhe me autoritete tjera kur kritikoj, edhe nivelet komunale nuk kanë kryer aktivitete e tyre, për të zbatuar një ligj shumë specifik. Dhe së treti problemi ka qenë kryekëput mos shqyrtimi i lëndëve nëpër gjykata”, t ha ai.
Ndërsa thotë se kafe baret, janë ata që prijnë si shkelës të këtij ligji.
Tërshnjaku thotë se hyrja në fuqi e këtij ligji, nuk është se ka ndikuar në uljen e konsumit të duhanit. Ai madje thotë se ka trend të rritjes së konsumit të duhanit tek femrat, gjë që sipas tij mbetet shqetësuese.
“Nuk ka ndonjë ulje të duhan pirjes. Është trend i rritjes së duhan pirjes tek femrat, që është shumë brengosëse dhe për elitën shëndetësore,. Që duhet ta bëjë punën e vet në edukimin e brezave të tillë. Sidomos mosha më kritike është nga 15 deri në 18 vjet, të cilët fillojnë konsumimin e duhanit. Në këtë drejtim sipas një studimi që është bërë në Kosovë, ka trend të rritjes nga gjinia femërorë”, tha Tërshnjaku.
Ndryshe, Ligji për Kontrollin e Duhanit ka hyrë në fuqi që nga 22 maj i vitit 2013. Ndërsa sot shënohet Dita Botërore pa Duhan, e cila si qëllim ka ngritjen e çështjeve që kanë të bëjnë me shëndetin dhe rreziqet që lidhen me përdorimin e duhanit si dhe evokimin e politikave që reduktojnë konsumin e duhanit.
31 Maji është dita botërore pa duhan, OBSH dhe partnerët tjerë shënojnë Ditën Botërore pa Duhan duke ngritur çështjen e shëndetit për rreziqet që lidhen me përdorimin e duhanit si dhe evokimin e politikave që reduktojnë konsumin e duhanit. Kjo ditë në shumë pjesë të botës kalon duke mësuar dhe duke biseduar lidhur me këtë problem të shëndetit publik.
Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) duke përfshirë goditjet në tru, janë shkaktarët kryesor të vdekjeve në botë të cilat vrasin më shumë njerëz sesa çdo shkak tjetër vdekjeje në mbarë botën.
Epidemia globale e duhanit vret më shumë se 7 milionë njerëz çdo vit, prej tyre 900 000 janë ata të cilët nuk janë duhan pirës por të ekspozuar në duhan.
Pothuajse 80%, më shumë se 1 miliardë duhanpirësve në mbarë botën jetojnë në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta.