11:17 / E Mërkurë, 22 Maj 2024 / k.v

Në Maqedoni të Veriut rivotohet në 7 vendvotime

Në Maqedoninë e Veriut më 22 maj po rivotohet në shtatë vendvotime në njësinë e pestë dhe të gjashtë zgjedhore, që mund të ndryshojnë numrin e mandateve të fituara nga partitë politike në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Në këto vendvotime të drejtë vote kanë 4.513 qytetarë, të cilët që nga ora shtatë e mëngjesit u janë drejtuar kutive të votimit.

Rivotimi mbahet pas konstatimit të parregullsive nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e që ishin pranuar edhe nga Gjykata Administrative.

Parregullsitë kishin të bëjnë kryesisht me gjetjen e më tepër fletëve të votimit nëpër kutitë e votimit.

Në njësinë e pestë zgjedhore që përfshin pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut votohet në gjashtë vendvotime në Ohër, Strugë, Krushevë dhe Dollneni.

Në njësinë e gjashtë zgjedhore që përfshin rajonin e Tetovës në pjesën perëndimore të vendit të banuar me shqiptarë, rivotohet në një vendvotim në fshatin Llërc.

Rivotimi mund të ndryshojë raportet mes forcave në Kuvend.

Në zgjedhjet e mbajtura më 8 maj, VMRO DPMNE-ja ka fituar 58 mandate, Fronti Evropian që drejtohet nga BDI-ja 19, koalicioni VLEN 18 mandate, dhe nga gjashtë mandate partia E Majta dhe Lëvizja ZNAM.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar VMRO DPMNE-në, LSDM-në dhe koalicionin VLEN për “rivotim të kurdisur” me qëllim të, siç ka thënë, marrjes së dy mandateve në këto dy njësi zgjedhore.

VMRO DPMNE-ja që fitoi zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale pret që nga rivotimi të marrë edhe një mandat më shumë siç pret edhe koalicioni VLEN.

Maqedonia e Veriut është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen 20 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi.

Pas rivotimit më 22 maj, KSHZ-ja pritet t’i certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas çka nisin afatet për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë së re partisë fituese, në këtë rast VMRO DPMNE-së.

Nga kjo parti presin që Qeveria e re të formohet më së voni deri në javën e parë të muajit qershor./REL/