13:52 / E Diele, 24 Janar 2021 / Blerim

Në Pejë qytetarë të shumtë dhe zyrtarë shtetëror përkujtuan publicistin Nazmi Lukaj

Qytetarë të shumtë, zyrtarë shtetëror, politikanë, intelektualë, profesorë, ish ushtarakë të UÇK-së, gazetarë, morën pjesë në homazhet përkujtimore, kushtuar publicistit dhe analistit, Nazmi Lukaj.

Homazhet janë mbajtur pranë varrit të të ndjerit, në varrezat e qytetit në Pejë, të organizuara nga aktivistët e trevës së Rugovës dhe Pejës, ku prezent ishin dhe Kryetari i qytetit të Pejës Gazmend Muhaxheri, zyrtarë të komunës, përfaqësues nga shkollat e Pejës dhe kolegët e të ndjerit, gazetarë dhe përfaqësues të mediave, familjarët.

Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri ka vlerësuar lartë veprën e Lukajt, sikurse pjesëmarrësit e tjerë kanë evokuar kujtime duke nderuar figurën e të ndjerit.

Veprat e tij publicistike, komentet dhe analizat e shumta, që ai kishte botuar në shtypin shqiptar i kanë siguruar Nazmiut një vend meritor në panteonin e vlerave bashkëkohore të publicistikës shqiptare.

Nazmi Lukaj (1967) ishte filolog dhe publicist dhe la një trashëgimi të vyer intelektuale, e të mendimit kulturologjik shqiptar. Ai kishte ndërruar jetë nëntë vite më parë (24/01/2011) nga një sëmundje e rëndë.