13:39 / E Enjte, 13 Shtator 2018 / indeksADMonline

Nëse gjërat ecin sipas parashikimeve, kosovarët mund të lëvizin pa viza këtë vit

Parlamenti Evropian ka votuar sot pro liberalizimit tw vizave për qytetarët e Kosovës.

Deputetët e PE-së votuan me 420 vota pro, 186 kundër dhe 22 abstenime.

Propozimi për dhënien e eksesit që populli i Kosovës të udhëtojë pa viza, u miratua nga eurodeputetët e Komitetit të Lirive Civile në shtator të vitit 2016, në pritje të përmbushjes së të gjitha kritereve të kërkuara, në veçanti të ratifikimit të marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, transmeton Indeksonline.

Në njoftimin e PE-së, thuhet se ky ishte një nga 95 kriteret e vendosura në dialogun e liberalizmit të vizave me BE, i cili filloi në vitin 2012.

Komisioni Evropian konfirmoi muajin e kaluar se Kosova tani ka përmbushur të gjitha kërkesat, të cilat përfshinin gjithashtu një rekord të pastër në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kuvendi i Kosovës miratoi marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi më 21 mars 2018.

Pas heqje së vizave për qytetarët e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë në vitin 2009, dhe për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në vitin 2010, Kosova është e izoluar, duke qenë vendi i vetëm ballkanik, qytetarët e të cilit akoma kanë nevojë për viza në mënyrë që të udhëtojnë në BE.

Parlamenti Evropian ka bërë të ditur se hapat e ardhshëm janë bisedimet me Këshillin të cilat mund të fillojnë sapo ministrat të vendosin qasjen e tyre të përgjithshme në propozimin për heqjen e vizave.

Nëse ministrat bien dakord atëherë kosovarët do të jenë në gjendje të hyjnë në BE pa viza për 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore-me kusht që të mbajnë një pasaporte biometrike-për biznes, turizëm ose për qëllime familjare..

Heqja e kërkesave për viza për kosovarët do të zbatohej në të gjitha vendet e BE-së, me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, dhe të katër shteteve të Shengenit, jo-BE (Islanda, Lihtenshtajn, Norvegji dhe Zvicër)./Indeksonline/