Nga frika se nuk do të ecte kurrë, te Bayern Munichi – historia frymëzuese e Ismael Saibarit
Ismael Saibari është një nga emrat më të spikatur të futbollit afrikan dhe evropian, por rruga e tij drejt suksesit ka qenë gjithçka tjetër veçse e lehtë.
Futbollisti maroken, i lindur më 28 janar 2001 në Terrassa të Spanjës nga prindër marokenë, u përball me sfida të mëdha që në ditët e para të jetës. Mjekët kishin frikë se ai mund të mos ecte kurrë për shkak të një çrregullimi të lindur në zhvillim. Për vite me radhë ai përdori mbajtëse ortopedike, ndërsa hapat e parë i hodhi vetëm në moshën dyvjeçare, shkruan Indeksonline
Megjithatë, Saibari nuk lejoi që vështirësitë ta ndalonin. Në moshën gjashtëvjeçare ai u shpërngul në Belgjikë, ku nisi rrugëtimin e tij në futboll. Në fillim u refuzua nga Anderlechti pasi konsiderohej mbipeshë, por kjo nuk e zbehu dëshirën e tij për të ndjekur ëndrrën.
Pas një periudhe në akademi të ndryshme, talenti i tij nisi të spikaste gjithnjë e më shumë. Në vitin 2020 iu bashkua PSV Eindhovenit, ku u zhvillua në një nga futbollistët më premtues të futbollit holandez. Paraqitjet e tij mbresëlënëse, trofetë e fituar dhe sezoni fantastik me 15 gola e 8 asistime tërhoqën vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane.
Kulmi i karrierës erdhi në vitin 2026, kur realizoi transferimin e madh te Bayern Munichu për rreth 55 milionë euro, duke u bërë pjesë e elitës së futbollit botëror.
Në nivel ndërkombëtar, Saibari ka përfaqësuar Marokun në të gjitha grupmoshat, ndërsa është shndërruar në një nga figurat kryesore të kombëtares së parë. Në Kupën e Botës 2026 ai shkroi historinë duke barazuar rekordin e Mohamed Salahut, si futbollisti i vetëm afrikan që ka shënuar në secilën nga dy paraqitjet e para në një Kampionat Botëror.
Historia e Ismael Saibarit mbetet një shembull i jashtëzakonshëm i forcës së karakterit, këmbënguljes dhe besimit. Nga një fëmijë që rrezikonte të mos ecte kurrë, ai u shndërrua në një yll të Bayern Munichut dhe një krenari të futbollit maroken./Indeksonline/

