09:39 / E Premte, 16 Mars 2018 / indeksADMonline

Nga mbeturinat në kryeqytet do të prodhohet energji dhe kubëza për shtrimin e rrugëve

Drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Muhedin Nushi, ka takuar përfaqësuesit e kompanisë “Ekowat” nga Polonia, të cilët janë shprehur të interesuar të investojnë në projektin e ri për menaxhimin e mbeturinave.

Presidenti i kësaj kompanie, Adam Kaminski, ka prezantuar modelin e zbatuar në Ukrainë për grumbullimin dhe klasifikimin e mbeturinave, djegien e tyre dhe mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike nga to. Ai bën të ditur se mbetjet e fundit pas djegies, kjo kompani i shfrytëzon atje për prodhimin e tullave dhe për shtrimin e rrugëve.

Krijimi i një impianti të tillë do të sillte shumë favore për Komunën e Prishtinës dhe Kosovën, dhe do të rezultonte me qytet shumë më të pastër dhe me krijim të vendeve të reja të punës. Po ashtu, i gjithë sistemi i këtij përpunimi është i digjitalizuar dhe eliminon “varrezat e mbeturinave”.

Sipas projektit të dytë të prezantuar nga kompania “Ekowat”, të ashtuquajturat “varreza të mbeturinave” do të mund të pastroheshin nga metani ose të degazohen dhe në to të krijohen fusha sportive dhe sipërfaqe të gjelbra.