14:13 / E Enjte, 14 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Nga nesër- pajisjet dimërore të detyrueshme

Policia e Kosovës ua rikujton të gjithë drejtuesve të automjeteve se duhet të fillojnë të përgatiten për sezonin dimëror.

Ligji për rregullat e trafikut rrugor parasheh dënime për shoferët që gjatë dimrit, periudhë që përfshin kohën ndërmjet 15 nëntorit dhe 15 marsit, ngasin automjetet e tyre pa pajisje dimërore.

Gjatë kësaj periudhe, drejtuesit duhet t’i kenë me vete pajisjet dimërore, gomat e dimrit dhe pajisjet e tjera të nevojshme dhe të obliguara.

Pajisjet dimërore të obliguara janë gomat për përdorim dimëror (M+S) zinxhirët për rrotët.

Sugjerohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve kontrollimi i dritave, mekanizmin e ndezjes dhe gjendjen e baterisë – madje rekomandohet edhe kontrolli i bazës së makinës. Pajisjet duhet të mbahen në makinë pavarësisht motit, në të kundërtën parashihen dënime për shoferët.

“U apelojmë shoferëve që të fillojnë përgatitjen e mjeteve dhe të jenë të kujdesshëm gjatë këtij sezoni dimëror”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.