16:03 / E Hënë, 05 Mars 2018

Nga një muaj paraburgim të dyshuarve për grabitje

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G. Gj për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale grabitje ndaj të pandehurit L.B për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale grabitje nga dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Të pandehurve G. Gj dhe L.B iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe atë duke filluar prej ditës së sotme.

Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në bashkëkryerje, me përdorimin e forcës dhe me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme më 25 shkurt rreth orës 00:15, në Prishtinë, në lagjen Emshir, kanë kanosur me armë të dëmtuarën F.J-B, duke ia drejtuar armën në fytyrë, kështu qe në atë moment e dëmtuara nga frika e ka lëshuar çantën në të cilën ka pasur 260 euro, një zinxhir të arit dhe dokumentet personale.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të pandehurve është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.