21:05 / E Hënë, 29 Tetor 2018 / indeksADMonline

Nga stuhia në Itali 7 të vdekur, pezullohen udhëtimet edhe nga Durrësi

Italia ka rënë “pre” e motit të keq me reshje shiu dhe erë të fortë e për të shmangur dëme të tjera, krahas viktimave dhe dëmeve materiale të regjistruar, vendi fqinj ka urdhëruar mbylljen e përkohshme të portit të Barit.

Moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë ka sjellë krahas vdekjes së 7 personave edhe dëme të shumta. Si pasojë e kësaj situate, vendi fqinj ka dhënë urdhër që porti i Barit të mbyllet përkohësisht.

Report Tv raporton se për shkak të motit, tragetet ‘A/F Franchesca’ dhe ‘F/B Bari’ do të nisen nga Porti i Durrësit drejt Barit në orën 03:00 të mëngjesit të sotëm. Ndërsa tragetet ‘Rigel 3’ dhe ‘AF Marina’ do të nisen nga Bari në drejtim të Durrësit në orën 07:00 të mëngjesit për të mbërritur pasditen e nesërme.

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Pavlin Ndreu ka njoftuar të gjitha agjensitë, tragetet, peshkarexhat dhe mjetet e vogla detare, si dhe anijet e transportit të mallrave që të marrin masat për parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë këtyre 48 orëve.

“Të lajmërohen anijet e peshkimit dhe pronarët e tyre që të marrin masa për sigurimin e anijeve në porte dhe të monitorojnë anijet me njerëz çdo orë, që mos të ketë mbytje në port apo avari nga moti i keq”, është shprehur Ndreu, duke shtuar se “mos marrja e masave i ngarkon ato me përgjegjësi administrative dhe ligjore për mos zbatim urdhëri dhe rrezikim të jetës dhe pronës”.

Sipas Republica.it, lundrimi është bërë i pamundur pasi dallgët në det aktualisht arrijnë në 8-9 ballë, ndërsa era arrin deri në 120 km/h. Po sipas kësaj mediaje italiane, 7 viktimat janë regjistruar në Lacio, Savona, Veneto dhe Napoli. Në po këto zona, shkollat mësohet se janë mbyllur pasi Drejtoria e Mbrojtjes Civile ka informuar për një përkeqësim të motit gjatë mbrëmjes së sotme.