10:56 / E Premte, 27 Korrik 2018 / indeksADMonline

“Ngritja e Zërit” dorëzoi në Kushtetuese padi për kompensim të dëmeve të luftës

Organizata për dëme të luftës, “Ngritja e Zërit”, ka dorëzuar sot në Gjykatë Kushtetuese të Kosovës dosjet e radhës rreth vlerësimit të kushtetutshmërisë së aktit juridik të Gjykatës Supreme, me rastin e refuzimit të padisë për kompensimin e dëmeve të luftës.

Kryetari i OJQ-së “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta, ka thënë pas dorëzimit se nga viti 2008 janë duke ushtruar padi për kompensimin e dëmeve të luftës, përfshirë dëmin në njerëz dhe pronë.

Sipas tij, të gjitha janë refuzuar dhe nëpërkëmbur nga gjykatat e Kosovës, raporton Indeksonline.

“Gjykatat Themelore nuk na i kanë pranuar paditë edhe pse paraprakisht i kanë shqyrtuar, paditë serbe na i kanë quajtur të rrezikshme, merreni me mend, dhe palët paditëse janë detyruar t’i dorëzojnë përmes postës në vitin 2010. Plot tri vite s’kemi pasë përgjigje, pas tri viteve refuzimi apriori me qëndrim prej lart hudhen poshtë për jokompetencë. Merre me mend, kërkohet kompensimi edhe i taksës prej 30 euro që ishte në kundërshtim me Ligjin Mbi Kategoritë e luftës”, ka thënë Bejta.

Duke iu drejtuar grupit negociator të Kosovës me Serbinë, ai ka thënë se nëse kërkohet falja e dëmeve në njerëz dhe pronë, ajo nuk guxon të ndodhë.

“Andaj nëse vjen deri te kjo çështje, atëherë ne do të reagojmë dhe nuk do të ndalemi dhe nëse ata marrin një vendim të tillë, atëherë ata kanë të drejtë të falin vetëm trupat e evladave të vetë, por jo edhe familjarët tonë”, ka theksuar Bejta, duke shtuar se vetë Gjykata Kushtetuese është duke e shkelur Kushtetutën.

Bejta tregoi se kërkesës ia kanë bashkangjitur edhe një argument shtesë për Ligjin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut. Ai deklaroi se gjykatat në Kosovë po i shkelin konventat ndërkombëtare.

Kujtojmë se rreth 1 mijë kërkesëpadi janë hartuar nga kjo organizatë dhe janë dorëzuar nëpër gjykata, pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës, por të gjitha janë refuzuar nga gjykatat me arsyetimin se nuk mund të paditet një shtet tjetër. /Indeksonline/