20:28 / E Enjte, 01 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Niveli joprofesional i futbollit të femrave shqiptare! Flasin vet futbollistet (Foto)

Shkruhet pak për to, por kjo nuk do të thotë se ato nuk dinë të luajnë sportin më të bukur në planet. Janë vajzat shqiptare të cilat që nga fëmijëria e tyre kanë nisur të godasin topin drejt portës. Megjithatë, futbolli femëror ka ngecur shumë për shkak të trajnimit joprofesional, si dhe mbështetjes jo të duhur financiare dhe shpirtërore.

Se Kosova është larg krijimit të mundësive për t`i plotësuar kushtet për futbollin femëror, e thotë futbollistja kosovare Rinesa Kryeziu.

“Zgjodha futbollin pasi që nuk është një sport i lehtë apo i thjeshtë por duhet përkushtim në mënyrë maksimale dhe më pëlqejnë sfidat.  Duke pasur parasysh ekipet e femrave në vende të tjera, Kosova dhe qyteti im është shumë larg mundësive për t’i plotësuar kushtet  e nevojshme! Ajo që i mungon më së shumti futbollit femëror është mbështetja edhe ajo financiare por edhe ajo shpirtërore. Po t’i kishim këto besoj që do rritej interesimi edhe nga vajza të tjera”, ka thënë ajo për “Indeksonline”.

Në një mendim me Rinesën është edhe Fleta Musaj. Futbollistja është shprehur se Kosova nuk e ka përkrahjen e duhur sa i përket femrave në sportin e futbollit.

“Futbolli i femrave në Kosovë nuk e ka përkrahjen sa duhet, na duhet shumë punë, nuk jemi shumë keq por mund të bëhemi edhe më mirë me ndihmën e të tjerëve. Neve na duhet një investim shumë i madh në futbollin e femrave në mënyrë që të ecim përpara bile të inkuadrohemi të paktën në futbollin evropian, pse jo fatit nuk i dihet mund të bëhemi më të mirat. Duhet bërë shumë ne jemi shumë mbrapa ,duhet me qenë ekipa profesionale një trajner i mirë dhe mbështetje financiare”, ka deklaruar ajo.

Interesimi për t`u inkuadruar në ekipe evropiane qëndron tek këto futbolliste, por kushtet në Kosovë nuk ua lejojnë këtë. Megjithatë, futbollistja Albina Ademi shprehet optimiste sa i përket kësaj çështje.

“Jo, nuk kam pasur interesime nga ekipet europiane. Është shumë vështirë të depërtosh në Europë duke pasur parasysh vëmendjen e vogël qe merr futbolli i femrave ne Kosove, por unë mendoj se pas disa viteve kjo do te ndryshoje. Ne Kosove ka talent, por nuk punohet edhe aq sa duhet”, ka thënë ajo për “Indeksonline”.

Por, drejt synimit të saj që të jetë pjesë e ndonjë ekipi evropian duket se do të punojë Jehona Shala.

“Nuk janë kushtet e favorshme në Kosovë por besoj që me kalimin e kohës do të rregullohen. Ende nuk kam pasur interesim nga ekipet e jashtme, por do të vazhdojë që të punoj shumë çdo ditë që të arrijë synimet e mija”, është shprehur ajo.

Se si priten këto futbolliste kur dalin në fushë dhe se çfarë komente marrin, ka folur futbollistja nga Maqedonia, Medina Emini.

“(Hahaha) , çdo ditë hasem me këtë lloj komenti je femër, nuk ke lidhje me futboll. Por diçka që di të bëjë më mirë është se i buzëqeshi dhe vazhdoj para. Mund ti kthej përgjigje në këtë rast dikujt qe merret me sport dhe më thotë këtë lloj komenti, sa për të tjerët as edhe një fjalë nuk ka vlerë tek unë ! Vazhdojë akoma më tepër të punoje dhe te ec para për ti treguar se mundet dhe gjinia femërore”, ka thënë ajo për “Indeksonline”.

Emini ka shtuar se ka pasur oferta nga disa ekipe jashtë Maqedonisë por nuk e ka gjetur veten aty. Ajo ka thënë se kur t`i vie ndonjë ofertë që ajo beson se ia vlenë, atëherë do të mund të ndryshojnë gjërat./IndeksOnline/Granit Tërstena/