18:40 / E Premte, 03 Janar 2020 / indeksADMonline

Një 5-she për kërcënuesit në internet, tjerët mbushen mend

Shkruan: Agim Muhaxheri

Ai që i kërcënohet tjetrit me vrasje në rrjetet sociale e kap neni 181 i Kodit penal të Kosovës dhe mund të dënohet deri në 5 vjet burg. Më i keq nxitësi se katili. Nëse shteti nuk ua tregon “dhëmbët”, kjo mund të na kthehet bumerang. Umberto Eco flet për budallenjtë që shkarraviten në internet. Por edhe budallenjtë i kapë ligji. Kriminologu italian Cesar Beccarie tha: “Më mirë krimi të parandalohet, jo të dënohet”. Në këtë kontekst, është e njohur thënia e jonë: “Prite punën sa s’u ba se kur t’bahet mos e kajë”. Drejtësia selektive është imazh i keq për shtetin.

Qëllimi i dënimit te ne është parandalimi në kryerjen e veprave penale. Kosova ka rregulla e ligje, nuk është anarki.

—————————————————————

Kriza ekonomike dhe ajo qeveritare, është shkak i frustrimit, thyerjes së nervave. Tipat, pa e vrarë mendjen se po hynë në zonën kriminale – kërcënohen me vrasje.

Azganët që “shtien” pam, pam, pam – në fcb, kur i nxjerrin para gjyqit bëhen pula…

“Ignoratia legis non excusat” (Mosnjohja e ligjit nuk të arsyeton).

Shkarraviten në Facebook tipat e Sigmund Freud-it (Frojdit), kërcënohen me linçim, meqë shteti nuk ua tregon “dhëmbët”.

Një kërcënues publikoi ultimatumin e tij në fcb: “Albin Kurti i ka 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, drejtuar liderit të Vetëvendosjes, kryeministrit në ardhje.

Tjetri i kërcënohet në internet birit të liderit të LDK-së, Isa Mustafës me fjalët “Kom met kall për së gjalli…”.

Kërcënuesit bëjnë gara kush kujt po ia kalon, kush e ka statusin më të fortë.

E bëjnë këtë për mendje të madhe. Kujtojnë se janë patriotë. Krimineli e patrioti nuk shkojnë bashkë.

Të bësh thirrje për vrasje, është krim. Kodi ynë penal këtë veprim e ka sanksionuar si kanosje. Në nenin 181 thuhet: Kushdo që seriozisht i kërcënohet personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta, dënohet me gjobë ose me burg deri në një (1) vit. Paragrafi 3 parasheh dënimin deri në 5 vjet burg kur veprimi kryhet ndaj personit zyrtar… Albin Kurti është person i zgjedhur me votën e qytetarëve.

Personi zyrtar nënkupton ai që është i zgjedhur, i emëruar ose i caktuar në organin shtetëror (neni 113, paragrafi 2).

Para luftës, kur ishte në fuqi Kodi penal i Jugosllavisë (1951), nxitësi për vrasje ka mundur të përfundoi – me pushkatim.

Jo rastësisht nuk thuhet:

Ma i keq asht nxitësi se katili.

Një proverb japonez thotë: “Goja është dera e krimit”. Ndërkaq, ne themi: Çka ta ban goja s’ta ban askush… Hyn fjalë kah dole !

Shkrimtari i madh italian Umberto Eco thotë: “Mediat sociale u japin të drejtën për të folur legjioneve të budallenjve, të cilët më parë flisnin vetëm në bar pas një gote verë, pa e dëmtuar komunitetin. Heshtnin mënjëherë, ndërsa tani kanë të njejtën të drejtë për të folur, si edhe një fitues i Çmimit Nobel. Kjo është mësymja e budallenjve”.

Eco përmend shprehjen “mësymja e budallenjve”. Por edhe budallenjtë i kapë ligji.

Kriminologu italian Cesar Beccarie (1738 – 1794) në librin e tij “Mbi krimet e dënimet” flet për parandalimin e krimit. Ai tha: “Më mirë krimi të parandalohet, jo të dënohet”. Në këtë kontekst, shqiptarët thonë: Prite punën sa s’u ba se kur t’bahet mos e kajë…

Kjo çfarë po ngjet me linçimin e njerëzve në internet, është trishtim, tmerr. Prokurorët s’bën të heshtin, të rrinë këmbëkryq. Gjykatësit ti “ndreqin” mirë kërcënuesit.

Jepi njërit një 5-she, pesë vjet burg, të tjerët mbushen mend.

Qëllimi i dënimit te ne është: Të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale…, detyrimi për respektimin e ligjit (neni 38).

Sali Zyba i VV-së iu kërcënua kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit. Kurrgjë askujt.

Burri i deputetes nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu, Alban Krasniqi, iu kërcënua me vrasje kryekuvendarit të Kosovës, Kadri Veselit, më 27 shkurt 2016. Prokurori heshti !

Kësaj i thonë drejtësia selektive. Të rrimë shtrembër, të flasim drejt, ky është imazh i keq për shtetin.

Ligji vlen “erga omnes”, njësoj për të gjithë.

Jo për dikë nënë, tjetrin njerkë !

Këta me hu në krah, degjenerikët, nuk i lexojnë komentet. Ka kush i lexon. Këtyre ua transmetojnë: O hajvan, rri urtë, mos shpreh kërcënimin në fcb, se ngulesh keq, dergjesh në burg…

Kosova ka rregulla e ligje, nuk është anarki.