Një emër që po fiton besim në PDK/ Ferat Shala flet për Tringa Bujupin, kandidaten me numrin 88
Ish-deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka shprehur mbështetjen e tij për kandidaten Tringa Bujupi, duke vlerësuar se investimi në brezin e ri është garancia më e mirë për të ardhmen e vendit.
Shala ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është e sigurt vetëm nëse mbështetet dhe fuqizohet rinia, duke ua përcjell atyre përvojat dhe vlerat e gjeneratave që sakrifikuan për lirinë dhe shtetndërtimin e vendit.
Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës po e dëshmon këtë përkushtim përmes listës së saj zgjedhore, ku përfshihen vajza dhe djem të rinj me potencial për të udhëhequr proceset e rëndësishme të shtetit.
Duke folur për kandidaten me numër 88, Tringa Bujupi, Shala ka kujtuar se ajo është mbesa e Naim Bujupit, ish i burgosur politik, luftëtar i lirisë, pedagog dhe veprimtar i njohur i çështjes kombëtare.
“Tringa përfaqëson një lidhje të natyrshme mes së kaluarës sonë të lavdishme dhe së ardhmes së sigurt zhvillimore. Ajo bart vlerat e sakrificës, dijes dhe përkushtimit, duke ofruar vizion për një Kosovë më të zhvilluar, më prosperuese dhe më të fortë”, ka deklaruar Shala.
Në fund, ai i ka uruar suksese Tringa Bujupit në garën për deputete dhe në angazhimin e saj në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

