12:25 / E Premte, 31 Janar 2020 / indeksADMonline

Njeriu kundërshtues

Njeriu që luftoi për pavarësinë e Kosovës në vitet 90-të, mund të japë një impuls për transformim. Në një portret për Albin Kurtin, gazeta “tageszeitung” thekson, se koha nuk pret për qeverinë e re në Kosovë.

Tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe fitores së partisë së majtë socialdemokrate, Vetëvendosja, kryetari i saj, Albin Kurti ende negocion me partinë konservatore, Lidhja Demokratike, LDK për një qeveri të ardhshme, shkruan gazeta gjermane “taz”- tageszeitung. I mandatuar si kryeministër, Albin Kurti ka kohë deri më 4 shkurt të kurorëzojë bisedimet e koalicionit dhe të prezantojë qeverinë e re, ndryshe kërcënojnë zgjedhjet e reja. Koha nuk pret, për të dyja partitë nuk ka më kthim pas. Sepse shumë shpresa lidhen me këtë koalicion, thekson autori i shkrimit, Erich Rathfelder.

Albin Kurti i lindur në Pristhinë njihet si aktivist e drejtues i lëvizjes studentore në vitet 90-të, shkruan taz. Ai donte sundimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në Kosovë, atëherë ende nën Serbinë. Qëndrimin e tij kundër diskriminimit, etno-nacionalizmit e totalitarizmit nga të gjitha anët, ai nuk e ka ndryshuar deri më sot. Tani Kurti kërkon luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit në shoqërinë e Kosovës. Në një kohë që ai del si figurë e çuditshme për kosovarët, shkruan taz, sepse kreu i partisë më të fortë në vend, ende jeton në një apartament të vogël studentor. Për shumë kosovarë, Albin Kurti është deri më sot një njeri radikal.

Kur Kosova u vendos nën administrimin e Unmik-u, që lejonte zgjedhjet, por i diktonte vendimet politike kreut të qeverisë së atëhershme, Hashim Thaçi, Kurti doli radikalisht kundër. Ai themeloi lëvizjen “Vetëvendosje” dhe ngriti zërin kundër paaftësisë dhe korrupsionit brenda misionit të Unmikut. Kur në vitin 2004 u dogjën kishat ortodokse, Kurti u distancua: Nuk dua konfrontim mbi baza nacionaliste, tha ai atëherë, për Kurtin, serbët dhe pakicat e tjera ishin qytetarë të barabartë.

Pas pavarësisë, shkruan taz, Albin Kurti e shndërroi lëvizjen e tij në partinë Vetëvendosje dhe mori pjesë në zgjedhjet e para. Ai nuk luftonte vetëm kundër korrupsionit të partive sunduese të ish-UÇK-së. Sipas Kurtit, fuqitë ndërkombëtare i detyronin për lëshime elitat e atëhershme të UÇK-së në Kosovë edhe për shkak të njohurive që kishin për korrupsionin e tyre, nënvizon Rathfelder. Kurti u shpall herë një nacionalist shqiptar që do bashkimin me Shqipërinë e herë komunist.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, partia Vetëvendosje fitoi 29 nga 120 vende në parlament dhe doli partia më e fuqishme. Aktualisht zhvillohen bisedime me LDK që ka 28 vende. 45 vjeçari bashkë me një shumicë parlamentare i ka thënë jo ndërkohë të gjitha planeve për ndarjen e Kosovës mbi baza etnike. Kurti ndërkohë ka paralajmëruar reforma të thella në Kosovë. Lufta kundër korrupsionit qëndron në krye për politikanin e Vetëvendosjes. Pakicës serbe ai i ka premtuar bashkëpunim të gjerë dhe integrim. Kurse nga Serbia ai ka kërkuar kthimin e thesareve kulturore dhe zbardhjen e fatit të shqiptarëve të zhdukur.

Pjesë nga artikulli i “taz” publikuar në 31 janar me titull “Njeriu kundërshtues”