12:36 / E Enjte, 08 Dhjetor 2022 / A. M.

Njësia Speciale dhe Dogana rrethon Hoçën e Madhe, serbët dalin në rrugë!

Dhjetra serbë janë mbledhur para Petrovicës në Hoçë të Madhe për të kundërshtuar veprimet e Doganës dhe Policisë së Kosovës për konfiskimin e pijeve alkoolike.

Indeksonline ka siguruar pamje nga protesta e serbëve.

Dogana ka bërë të ditur se ka realizuar një kontrollë rutinore tek një dyçan ku shiten pije alkoholike në fshatin Hoçë e Madhe (Komuna e Rahovecit).

Zyrtarët kanë gjetur se përveç dyçanit personi përgjegjës operon edhe me veprimtarinë e prodhimit të pijeve alkoholike pa autorizim nga Dogana e Kosovës, veprim ky që është në kundërshtim me normat përkatëse të Kodit Doganor dhe Akcizave. Personi gjithashtu nuk ka të regjistruar aktivitetin as si biznes në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve dhe rrjedhimisht nuk përfill kërkesat e raportimit të entit përkatës pêr mbikëqyrje të prodhimtarisë së verërave.

Duke qenë se natyra e këtij veprimi të dyshuar përbën vepër penale, Dogana ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme. Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkoholi në sasi prej rreth 42 mijë litra. Personi në fjalë ka vepruar krejtësishtë në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit. Ky aktivitet afarist i paregjistruar që nuk i nënshtrohet as kontrollave sanitare e higjienike, përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit.

Në fshatin e njëjtë operojnë dy biznese të autorizuara për produkte të njëjta me pronar qytetar të Kosovës të etnisë serbe dhe paguajnë të gjitha detyrimet ligjore. Veprimi i bizneseve të paligjshme përbën konkurencë të padrejtë ndaj bizneseve të ligjshme.