Njihuni me fshatin në Prishtinë që ka shumë aktivitete për festat e fundvitit
Festat e fundvitit zgjojnë shumë emocione te të gjithë. Si çdo familje tjetër, ashtu edhe SOS fshati, ka pasur përgatitjet për këtë fundvit, ku secila njësi, është organizuar për të shënuar dhe festuar vitin e ri.
Punëtorja sociale në programin “Fuqizimi i Familjes” në SOS Fshatin e fëmijëve në Prishtinë, Arjeta Ahmeti, në një intervistë për KosovaPress, tha se SOS fshati përveç kujdesit për fëmijët të cilët e kanë humbur kujdesin prindëror, ofron përkujdesje dhe shërbime edhe për fëmijët të cilët jetojnë në familjet e tyre biologjike.
E për fundvit ajo tha se janë përkujdesur që të gjithë të ndjejnë gëzimin e festave.
“Ne kemi pasur aktivitete të ndryshme të cilat kanë shoqëruar muajin dhjetor, duke pritur gati dhe dy javët e fundit, të këtij viti, për të pasur akoma më shumë aktivitete për fundvit. Ne kemi organizuar së bashku me fëmijët e SOS fshatit dekorimin e bredhit, i cili është jashtë në oborr. I gjithë stafi bashkë me fëmijët është organizuar për të rregulluar dhe për të shënuar fillimin e festave të këtij fundviti. Po ashtu për të ardhmen, ditët në vijim, kemi aktivitete që përfshihen përveç fëmijëve që jetojnë në SOS fshatin edhe fëmijët që jetojnë në familjet biologjike, mirëpo SOS fshati ofron shërbime për ta siç është programi i ‘Fuqizimit të Familjes’”, tha ajo.
Ngritja e fondeve sipas Ahmetit është jashtëzakonisht e rëndësishme për SOS Fshatin e fëmijëve, meqenëse të gjitha projektet kanë nevojë për mbështetje financiare, në mënyrë të gjithë fëmijët dhe familjet me të cilat SOS fshati punon të mund të marrin shërbimet që ofrohen.
Në mesin e shumë aktiviteteve që SOS fshati organizon për ngritjen e fondeve, Ahmeti thotë të jetë edhe fushata e kartolinave, që tashmë është bërë traditë disa vjeçare.
“Nuk është ky viti i parë me të cilin ne kemi fushatën e kartolinave me të cilën ne tashmë është bërë një traditë. Po më duket se edhe punën e kartolinave në rrethin tonë e ka marrë SOS fshati sepse çdokush i referohet një kartoline tek miqtë e tij, duke ardhur të marrë kartolina tona. 8’19” Këto kartolina kanë mundur të porositen dhe është bërë dërgesa deri në vendin nga ku është pranuar porosia. Dyert e SOS fshatit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të hapura për gjithë ata persona të cilët duan që drejtpërdrejt të vijnë të marrin kartolina këtu, apo të japin një donacion të caktuar”, u shpreh ajo.
Sipas saj, SOS fshati përgatitë edhe dhurata që shumicën e kohës janë të personalizuara për fëmijët të cilët jetojnë në fshatin e fëmijëve, ndërsa theksoi se për këtë organizatë është jashtëzakonisht e rëndësishme kur njerëzit vullnet mirë dhe institucionet kontribuojnë sadopak në sjelljen e dhuratave apo ndonjë formë donacioni tjetër që e lehtëson apo e ngrit kualitetin e punës së tyre.
E viti që po lëmë pas, për SOS fshatin përkundër sfidave të shumta, sipas Ahmetit po mbyllet me sukses.
“Kemi pasur një vit jashtëzakonisht të suksesshëm, krahasuar me të gjitha punët dhe angazhimet të cilat i ka SOS fshati i fëmijëve. Kryesore kujdesi ndaj fëmijëve. Gjithçka deri tash ka shkuar shumë mirë, normalisht me sfida që i ka secili profesion apo vend pune. Mirëpo ne stafi e llogarisim se ka qenë një vit i suksesshëm, me shumë punë, me shumë sfida, mirëpo me shumë suksese”, tha ajo për KosovaPress.
Ndryshe, janë rreth 71 fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët jetojnë në SOS Fshatin e fëmijëve 24 orë, duke filluar nga fëmijët e posa-lindur, deri tek moshat më të rritura që jetojnë në SOS familje. Ndërsa janë diku rreth 600 fëmijë që jetojnë në familjet e tyre biologjike, në tre lokacione, Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Graçanicë.