22:15 / E Mërkurë, 22 Gusht 2018 / indeksADMonline

Olluri: Blakaj e shfrytëzoi pozitën për të bërë jetë më të mirë në SHBA

Drejtori Ekzekutiv i Gazetës Online Insajderi, Parim Olluri ka deklaruar gjatë ditës së sotme se Elez Blakaj e ka shfrytëzuar postin e tij të prokurorit për të bërë një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Olluri ka thënë se Blakaj e ka shfrytëzuar rastin më të madh me të cilin ai është marrë, atë të veteranëve për të bërë jetë më të mirë në SHBA.

“Vetë zotëri Blakaj nuk ka vepruar mirë për shkak se në rastin e parë të madh që ai e ka udhëhequr si prokuror e ka shfrytëzuar rastin për një jetë të tij më të mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Kjo do të thotë që një prokuror i shtetit sikurse edhe profesionet e tjerë, njerëzit e guximshëm duhet me i shkuar deri në fund. Nuk mundemi me kërkuar precedent për ta shfrytëzuar rastin dhe me kërkuar një jetë më të mirë”, ka deklaruar Olluri i ftuar në Info Magazina.

Po ashtu ai ka shtuar se veprimi i Blakajt është një pasqyrë se sistemi prokurorial është i prekur nga politika.

“Rasti i Blakajt është një pasqyrë ndoshta ata që kanë qenë të prekur nga sistemi prokuroria vetëm se e kanë ditur, por edhe është informuar publiku për ndikimin e madh politik në sistemin prokuroria”, shtoi ai.

Olluri tha se nuk shpreson që rasti me lista të veteranëve do të shkojë deri në fund nga prokuroria.

“Nuk pres që sistemi prokurorial ta çojë deri në fund rastin e madh të mashtrimit me lista të veteranëve”, ka deklaruar Olluri.