09:10 / E Premte, 05 Mars 2021 / k.v

Operacioni “Jugu” po vazhdon, IPK tregon pse i prangosi zyrtarët policor

Inspektorati Policor i Kosovës përkatësisht Departamenti i hetimeve ka arrestuar sot në orët e mëngjesit tetë zyrtarë policorë (punonjës në Stacionin policor- Jugu – Drejtoria rajonale e Prishtinës) .

Hetimi lidhur me këtë rast kishte filluar kohë më parë pas pranimit të një ankese dhe informacioneve përmes rrugëve operative me dyshimin fillestar se një zyrtar policor ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

Hetimi është zgjeruar, duke përtfshirë si të dyshuar edhe disa zyrtarë të tjerë policorë dhe ka përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës me urdhëresë të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe me përkrahjen edhe nga Policia e Kosovës.

Si rezultat i hetimit sot në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë është realizuar operacioni i koduar me emrin “Jugu” me ç’rast janë arrestuar tetë zyrtarë policorë me dyshimin për veprat penale: “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “Cenimi i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim ndikimi”dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë hetuesit e IPK-së kanë realizuar kontrolle në tri lokacione në Prishtinë, ku në cilësi të provave janë konfiskuar gjësende të ndryshme.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të procedurës penale.