09:09 / E Hënë, 03 Shtator 2018 / indeksADMonline

Opozita pret përkrahje për votimin e rezolutës që do prezantohet nesër

Pas caktimit të seancës së jashtëzakonshme, partitë opozitare presin që rezoluta që do prezantohet nesër do të votohet nga shumica parlamentare.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë ka ftuar gjithë deputetët për miratimin e rezolutës.

Ai ka thënë se është absurde vazhdimi i veprimeve të presidentit Hashim Thaçi, me idetë për korrigjimin e territorit të Republikës së Kosovës.

“Unë pres që nesër të kemi mbështetjen për këtë rezolutë nga partitë opozitare e po ashtu edhe të pozitës. Është sinjal i qartë për presidentin e vendit se duhet të ndalet me veprimet e tija antikushtetuese. Mendoj se PDK-së i ka humbur rruga në oborr, është absurde veprimi i presidentit për të diskutuar për territorin  e Kosovës. Ftojë të gjithë të përkrahin këtë rezolutë. Kemi dëgjuar nga deklarata e  bëra publikisht se AAK dhe Nisma do ta mbështesin këtë”, ka deklaruar Hoti.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu ka thënë se ata do përkrahin çdo  iniciativë e cila do të ia kthente Kuvendit- dialogun.

Sipas tij, çdo lloj diskutimi që bëhet për dialogun jashtë Kuvendit është në kundërshtim me frymën kushtetuese.

“Janë dy elemente problematike. E para se presidenti i vendit jashtë kompetencave po vazhdon organizmin e kësaj  Republike dhe e dyta është se kjo po ndodh jashtë Kuvendit. Kjo është Republikë Parlamentar dhe dialogu duhet t’i kthehet Kuvendit. Ne e kemi përkrahur këtë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme dhe besojë që ne do kemi votat e mjaftueshme për të votuar një rezolutë që Kuvendit t’i kthehet dialogu. Është tepër me rëndësi që Kuvendit t’i ja kthejmë dialogun por duhet të bëjmë edhe hapat tjerë dhe Partia Socialdemokrate do përkrah çdo iniciativë tjetër. Çdo lloj diskutimi jashtë Kuvendit është në kundërshtim me frymën kushtetuese. Duhet të jemi serioze”, ka thënë Sejdiu./Indeksonline/