12:00 / E Premte, 19 Janar 2018 / indeksADMonline

OVL e UÇK-së ka një kërkesë për ambasadorët!

Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së kanë përsëritur qëndrimin e tyre ndaj Gjykatës Speciale.

OVL UÇK ka thënë se ishte dhe është për shfuqizim të Speciales, duke i bërë thirrje ambasadorëve të shteteve të KUINT-it që mos të bëjnë presion mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Këto organizata kanë kërkuar nga Kryesia dhe Kryetari i Kuvendit që të procedojnë iniciativën për shfuqizimin e Speciales në Kuvend.

Ja njoftimi i plotë:

Ne si OVL UÇK, ishim dje dhe jemi edhe sot për shfuqizimin e Gjykatës Speciale sepse konsiderojmë se kjo gjykatë është e njëanshme, prandaj përmes kësaj komunikate i bëjmë me dije opinionit publik se ne si veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër drejtësisë dhe organeve të saj, por kemi qenë dhe jemi kundër padrejtësive që po na shkaktohen si popull viktimë e luftës së fundit në Kosovë, sepse siç e dini, ne kemi kërkuar dhe kërkojmë në vazhdimësi që të krijohet Gjykatë vendore, e cila do të merrej me gjykimin e të gjitha krimeve të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë.

Sa i përket kësaj, i lusim Ambasadorët e shteteve mike të KUINT-it, që të mos bëjnë presion mbi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse ata janë sovrani i votës së popullit.

Kurse, kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit dhe Kryetari i saj, që ta procedojnë iniciativën për shfuqizimin e gjykatës special, si obligim kushtetues që e kanë. /Indeksonline/