Pa Salah e Nunez, Liverpuli e ”shkel” Lutonin
Liverpuli ka shënuar fitoren e tretë radhazi në Premierligën angleze duke vazhduar të jetë lider i tabelës.
Në ndeshjen e javës së 26-të, Liverpuli mposhti në ”Anfield” skuadrën e Lutonit me rezultat të thellë 4-1, shkruan IndeksOnline.
Mysafirët e nisën fuqishëm ndeshjen duke kaluar të parët në epërsi me golin e Chiedozie Ogbene në minutën e 12-të. Me rezultat 0-1 u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, djelmoshat e Jurgen Klopp përmbysen shpejt rezultatin duke shënuar dy gola për dy minuta.
Virgil Van Dijk barazoi shifrat në minutën e 56-të, derisa Cody Gakpo i dha epërsin Liverpulit pas dy minutave.
Luis Diaz shënoi golin e tretë në minutën e 71-të, kurse fitoren e vendosi goli i Harvey Elliot në minutën e 90-të.
Me këtë fitore Liverpuli vazhdon kryesimin në tabelë me 60 pikë, katër më shumë se Manchester City.
Në anën tjetër, Luton renditet në vendin e 18-të, më 20 pikë të grumbulluara./IndeksOnline/