11:35 / E Enjte, 21 Mars 2019 / indeksADMonline

Pacolli: Mali i Zi mbështet përmbylljen e dialogut me njohje të Kosovës nga Serbia

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur sot në takim ministrin e jashtëm malazez, Srdjan Darmanovič.

Në një postim në Facebook, Pacolli ka shkruar se Mali i Zi sugjeron që përmbyllja e dialogut mes Kosovës e Serbisë duhet të përfundoj me njohje.

Më poshtë postimi i Pacollit:

Sot prita në një takim shumë miqësor homologun tim, Srdjan Darmanovič, në kryesim të delegacionit shtetëror nga Mali i Zi. Diskutuam agjendën e ngjeshur të çështjeve me interes reciprok dhe për rajonin, sikurse janë bashkëpunimi ekonomik, përkrahja në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, çështje të bashkëpunimit diplomatik në rrafshin ndërkombëtar, dhe atë të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare. Jemi dy vende që dimë si t’i qasemi bashkëpunimit dhe jemi në avantazh, sepse nuk kemi asnjë çështje të hapur.

Po ashtu, ndjehem i inkurajuar me qëndrimin e homologut tim malazez, i cili sugjeron që përmbyllja e dialogut me Serbi duhet të përfundoj me njohje. Ky është edhe qëndrimi përfundimtar i Kosovës.

Pothuaj secili shtet në rajon sugjeron të njëjtin epilog, prandaj besojmë që Serbia do ta kuptoj që e ardhmja e saj pa njohje të Kosovës, është e ardhme e errët dhe pa perspektivë evropiane dhe ndërkombëtare.

Serbia nuk duhet të pengoj shtetet në fqinjësi të ndjekin kursin perëndimor, prandaj e ritheksova edhe në këtë konferencë për media, se Serbia dhe BeH duhet ta korrigjojnë kompasin e prishur politik!