10:02 / E Mërkurë, 19 Shtator 2018 / indeksADMonline

Pakënaqësitë me Lista, veteranët e UÇK-së “blindojnë” Prokurorinë

Ish-ushtarë të shumtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke vazhduar të ‘trokasin’ në dyert e Prokurorisë Speciale në Prishtinë, kjo pasi emrat e tyre janë publikuar në listat e veteranëve mashtrues.

Ndonëse u publikuan mbi 19.000 emra, Prokuroria nuk e ka mohuar se kanë ndodhur lëshime gjatë hetimeve dhe grumbullimit të informacioneve, shkruan Indeksonline.  Sipas organit të drejtësië, emrat e veteranëve të vërtetë do të tërhiqen nga kjo listë.

“Gjatë fazës së grumbullimit të informacioneve, si dhe gjatë hetimeve që kanë zgjatur për një vit e gjysmë janë shqyrtuar mbi 80 mijë aplikacione dhe nëse eventualisht ndonjë veteran luftëtar i UÇK-së është dëmtuar me përfshirjen e emrit të tij nga Prokuroria në listën e përfituesve të kundërligjshëm, atëherë do të bëjmë kërkesë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm dhe do t’i propozohet Gjykatës që në bazë të dokumentacionit të rishikuar ndaj tyre të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar”, thuhet në sqarim. /Indeksonline/