Pakot me fletvotime të cilat arritën sot pasdite në KQZ kanë ardhur nga Austria

IndeksOnline pak më parë raportoi se nën masa të rrepta sigurie, në ambientet e KQZ-së kanë arritur pakot e radhës me fletvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, raporton IndeksOnline.
Automjeti në të cilin ndodheshin pakot e fletvotime monitorohej nga Njësia Special e Policisë së Kosovës. Afër tij qëndronin edhe zyrtarët e KQZ-së.
IndeksOnline ka pyetur zëdhënësin e KQZ-së, Valmir Elezin i cili ka konfirmuar se gjatë pasdites së sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellur 1,640 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Austria.
“Mund t’iu konfirmoj se gjatë pasdites së sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellur 1,640 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Austria. Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve. Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë”, ka thënë Elezi.
Aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlenë vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025./IndeksOnline/