09:56 / E Diele, 26 Nëntor 2023 / Gj. Sh

Pamjet të trishta, Neymar ulëret nga dhimbja gjatë procesit të rikuperimit nga dëmtimi në gju (VIDEO)

Neymar mund të konsiderohet si një nga futbollistët më të pafat sa i takon dëmtimeve. Braziliani ka vuajtur shpesh dhe bëhet fjalë për dëmtime të rënda që lejnë shumë shenjë në karrierën e një futbollisti.

Kështu ishte edhe dëmtimi i fundit që sulmuesi pësoi në muajin tetor në ndeshjen e Brazilit ndaj Uruguajit, ku Neymar këputi ligamentin si dhe dëmtoi meniskun e gjurit.

Tashmë, 31-vjeçari po i nënshtrohet procesit të rikuperimit që do të jetë i gjatë dhe po ashtu i dhimbshëm. Vetë Neymar nëpërmjet rrjeteve sociale shpërndau pak nga ajo që po përjeton gjatë fazës së rikuperimit teksa video shoqërohej me shkrimin; “Gjithçka kalon”.

Sigurisht ky sezon mund të konsiderohet i përfunduar për Neymar që do të humbasë kampionatin në Arabinë Saudite me Al Hilal, klub që shpenzoi plot 90 milionë euro për ta transferuar nga Paris Saint-Germain. Nga ana tjetër, synimi i Neymar është të rikhehet i gatshëm për Brazilin në Kupën e Amerikës që starton në qershor të vitit 2024.