23:23 / E Martë, 16 Tetor 2018 / indeksADMonline

Panucci përgatit “valixhet”, Skocia mundësia e vetme dhe e fundit

Kristian Panucci deklaroi para ndeshjes në Izrael se kishte kaluar javën më të lumtur që kur kishte marrë drejtimin e Shqipërisë. Mirëpo, ajo humbje e pastër 2-0 duket se e ka tronditur stolin e trajnerit italian. “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në institucionin e futbollit shqiptar se përtej faktit që presidenti Armand Duka i ka dalë disa herë në krah italianit, situata nuk është aspak e mirë.

Besimi ndaj trajnerit aktual po humbet ndeshje pas ndeshjeje, paçka se publikisht në institucionin e futbollit nuk duan ta pranojnë. Megjithatë, për të mos marrë një vendim të nxituar, Duka kërkon t’i lërë Panuccit kohën e duhur. Objektivi i parë, që ishte ai i daljes në krye të grupit në Ligën e Kombeve, nuk u arrit.

Në këto kushte, tashmë “treni” i fundit për një ndryshim të situatës është ndeshja e radhës që Kombëtarja do të luajë më 17 nëntor në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Skocisë. Ky takim mund të vulosë të ardhmen e trajnerit italian, teksa në rast fitoreje, çdo gjë do të sheshohej, ndërsa një tjetër humbje do të çonte në nisjen e bisedimeve për prishjen e kontratës.

Gjithçka mbetet e hapur, me italianin që e ka kuptuar shumë mirë situatën dhe shpesh e ka shfaqur me daljet  publike në konferencat për shtyp apo reagimet pas çdo humbjeje. Jo vetëm kaq, por edhe grupi i futbollistëve nuk është se ka një “feeling” me Panuccin.

Çështja e shiritit të kapitenit krijoi një situatë anormale te kuqezinjtë, madje u bë edhe objekt humori për mënyrën se si po veprohej. Tashmë i gjithë “presioni” duket se ka kaluar tek italiani, që së pari duhet të ruajë disa ekuilibra në ekip, e më pas të kalojë këtë moment duke marrë përgjigjet e duhura nga futbollistët në ndeshjen e radhës me Skocinë.