18:18 / E Hënë, 26 Nëntor 2018 / indeksADMonline

I shpëtoi shkarkimit, ja kujt duhet t’ja dijë për nder Panucci

Me vetëm 4 fitore (nga të cilat dy miqësore) në 14 ndeshje të drejtuara në pankinën e Shqipërisë, pozitat e Christian Panuçit ishin më të lëkundura se kurrë.

Një natë përpara sfidës ndaj Bale & Co, në “Elbasan Arena”, presidenti i federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, i cili ka ndërmarrë një revolucion të gjërë sa i përket moshave kuqezi (pritet të shkarkojë të gjithë trajnerët), ka reflektuar gjatë sa i përket vendimit për të konfirmuar ose jo në krye të kombëtares së madhe italianin.

I zgjedhur, falë edhe këshillave dhe garancisë së presidentit të shoqatë së trajnerëve në Itali, Renzo Ulivieri, Panuçi priste të njihte fatin e tij dhe kjo ka ardhur pak orë përpara ndeshjes me djemtë e Giggs.

Por, çfarë e shtyu Dukën të vepronte kështu: aspekti ekonomik (Panuçi pretendon 140 mijë euro në rast se prishet kontrate në formë njëpalëshe), mundësia e vogël për të gjetur një zëvendësues kur eliminatoret nisin në mars, por sidomos basti personal që nuk dëshiron ta quajë të humbur.

Telesport është munduar të kuptojë më shumë në këtë histori dhe, pranë ambjentit të FSHF-së, ka zbuluar se personi i cili shtyu presidetin e futbollit shqiptar të vepronte kundërsens, duke mbajtur ish-mbrojtësin e Romës, Milanit dhe Realit në stol ishte paraardhësi i tij, Gianni de Biasi.

Duka ka darkuar me De Biasin një natë më parë dhe më pas janë ulur të konsumojnë edhe një kafe. Ish-trajneri kuqezi i ka kërkuar që të mos nxitohet dhe se duke zgjedhur rrugën më të lehtë, shkarkimin, do të fuste në kaos më shumë kombëtaren. Kjo për të ndalur edhe zërat që flisnin për një De Biasi që priste momentin për të rimarrë stolin.

Gianni ka votuar Panuçin dhe i ka këshilluar Dukës të bëjë të njëjtën gjë.