15:11 / E Mërkurë, 27 Janar 2021 / k.v

Parlamenti Evropian ndan certifikata për nxënësit e Drenasit, Kryetari Lladrovci zotohet për përkrahje

Parlamenti Evropian u ka shpërndarë certifikata nxënësve të gjimnazit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, të cilët ishin pjesëmarrës në konferencën e organizuar nga Euroscola, bashkë me 94 shkolla tjera të Bashkimit Evropian.

Këto certifikata të PE-së janë pranuar nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ua dorëzoi nxënësve, bashkë edhe me flamurin e BE-së. Kryetari Lladrovci është shprehur krenar me punën e nxënësve, duke u zotuar për përkrahje të vazhdueshme dhe ndarje të bursës për nxënësit që kanë marrë pjesë në konferencën nga Euroscola në Parlamentin Evropian.

“Jam jashtëzakonisht krenar me punën tuaj dhe pjesëmarrjen si shkolla e vetme jashtë BE-së që ka arritur të merrte pjesë në konferencën e organizuar nga Euroscola, bashkë me 94 shkolla tjera të Bashkimit Evropian, me temën “Edukimi dhe punësimi i të rinjve: Çfarë na duhet për të ardhmen tonë?”. Jam shumë krenar që ju ishit jo vetëm pjesë e 94 shkollave dhe mbi 3 mijë nxënësve, por keni qenë edhe në mesin e të përzgjedhurve. Suksesi juaj në përfaqësimin e Drenasit dhe Kosovës në Parlamentin Evropian na ka bërë krenar ne si komunë, mësimdhënësit, drejtorin, shkollën dhe familjet tuaja. Prioriteti im që nga marrja e mandatit ka qenë arsimi, në mënyrë që Drenasi, ju nxënës të dashur të krahasoheni me nxënësit e vendeve të BE-së dhe që arsimi të jetë në hap me arsimin e vendeve të BE-së. Këtë tashmë e keni arritur me përkushtimin tuaj, drejtorit të gjimnazit, Mentor Sahiti dhe DKA-së, drejtorit Muhamet Gjoka, duke dhënë mesazh që arsimi është prioritet yni i përbashkët. Ju them edhe njëherë se me keni bërë krenar shumë dhe ju garantoj që mbështetja nuk do të mungojë asnjëherë. Sot, para jush këtu, zotohem se ju do të përfitoni bursë këtë vit për pjesëmarrje dhe përfaqësim të shkëlqyer në Parlamentin Evropian. Siç jam zotuar, së bashku me miqtë nga Gjermania, Finlanda, Austria, Italia, do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht, që nxënësit tanë të jenë krah bashkëmoshatarëve të tyre në BE. Kjo do të realizohet në shtator të vitit 2021, ku Drenasi organizon konferencë ndërkombëtare me nxënës, mësimdhënës, drejtues institucionesh arsimore nga Gjermania, Finlanda, Austria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës”, ka thënë ndër të tjera kryetari Lladrovci në fjalimin e tij.

Ndërsa, Drejtori i Arsimit, Muhamet Gjoka para nxënësve midis tjerash tha: “Ju falënderoj për përkushtimin dhe përfaqësimin e Drenasit në Parlamentit Evropian, por edhe në organizata të huaja të Bashkimit Evropian. Sukseset tuaja janë motiv për ne dhe jetësim i zotimit të kryetarit që t’i thyejmë barrierat ndërkufitare”.

Në këtë takim nxënësit prezantuan projektet e realizuara gjatë vitit të kaluar si prezantimi i ueb faqes së shkollës, sistemi i menaxhimit të të dhënave i pari i këtij lloji i aplikuar në shkollat e mesme dhe punime tjera inovative nga fusha e teknologjisë̈.

Kryetari Lladrovci dhe DKA-ja u zotuan se do të përkrahin nxënësit dhe kërkesat e tyre me qëllim të avancimit të sistemit tonë arsimor.