13:16 / E Shtunë, 14 Shtator 2019 / indeksADMonline

Partitë politike në mungesë të programeve kanë deformuar komunikimin me elektoratin

Shkruan: Prof. Fadil Maloku

1. Në Kosovë nuk shoh ndryshime rrënjësore, apo të paktën aso ndryshimesh çfarë po propagandohen nga shumica e partive parlamentare kosovare. Arsyet janë të shumta, por midis këtyre arsyeve unë si kryesore shoh përfundimin e dialogut me Serbinë, si dhe margjinalizimin e manipulantëve nga krahu i luftës dhe ai i paqes.

2. Nga debatet e zhurmshme më shumë kemi periferizim të temave mbi mirëqenien dhe sundimin e ligjit, ndërkaq kemi dominim të ngucakeqjeve, fyerjeve e sharjeve personale. Pra, kemi një ashpërsim të gjuhës dhe një denigrim të skajshëm midis protagonistëve debatues. Premtimet boshe edhe sivjet janë prezente. Por jo në përmasa dhe dimenzione të zgjedhjeve të kaluara. Premtimi më i mirë kishte me qenë që partitë dhe kandidatët për kryeministër të mos bëjnë fare premtime.

3. Në anën tjetër, disa “parti minore politike”, janë shndërru në parti imagjinare, sepse, gjithnjë pak para zgjedhjeve, ato fillojnë ta imagjinojnë vetën si organizime partiake. Meqe që nga fillimi e dijnë që shansat për ta kaluar pragun zgjedhor janë minimaliste, ato zakonisht si bishta u bashkangjitën gjigandëve. Këtë e bëjnë jo për ta rritur gjigandin partiak me prezencën e tyre ideologjike e partiake, por, për ta (ri)futur veten e tyre në aulën e parlamentit vijues.