17:56 / E Shtunë, 07 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pas 28 vitesh Anglia kalon në gjysmëfinale të Kupës së Botës

Kombëtarja e Anglisë ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Botës pas 28 viteve.

Anglia është bërë skuadra e tretë gjysmëfinaliste e botërorit të Rusisë, pas fitores 2:0 ndaj Suedisë në ‘Cosmos Arena’ në Samara.

Nordikët lanë jashtë botërorit Holandën e Italinë, ndërsa eliminuan më pas Gjermaninë e Zvicrën, por nuk arritën të bëjnë asgjë përballë Anglisë.

Skuadra e Southgate tregoi edhe njëherë të gjithë pjekurinë e nevojshme për të marrë rezultatin duhur në sfida të tilla dhe arriti të sigurojë gjysmëfinalen e “Rusi 2018”.

Takimi u zhbllokua në minutën e 30’, kur Harry Maguire devijoi për në rrjetë një top të ardhur nga këndorja, nga ana e Ashley Young.
Deri në fund të 45-minutëshit të parë, Raheem Sterling pati dy mundësi mjaft të mira për të dyfishuar rezultatin, por u tregua egoist dhe shpërdoroi.

Gjithsesi goli i qetësisë për “tre luanët” erdhi në minutën e 59, kur fantazisti i Tottenhamit, Dele Alli u lirua në zonë dhe shënoi me kokë.

Minutat e mbetura u karakterizuan nga një nervozizëm deri diku i pranueshëm, ndërsa në ato pak tentativa të suedezëve, portieri anglez Pickford u tregua i gatshëm të bëjë më të mirën.

Në orën 20:00 do të jetë radha e vendit organizator, Rusisë, që të përballet me Kroacinë, për të përcaktuar edhe gjysmëfinalisten e katërt. /IndeksOnline/