15:01 / E Martë, 29 Maj 2018 / indeksADMonline

Pasuria e dyshimtë e deputetit që iu vodhën 100 mijë euro-Si e fshehu ai pasurinë nga shteti

Xhavit Ukaj po e shikonte finalen e Ligës së Kampionëve në futboll ndërmjet Real Madridit dhe Liverpool-it të shtunën, kur një person u fut fshehurazi në shtëpinë e tij në Prizren dhe ia vodhi 100 mijë euro të holla kesh. Por, hajduti nuk u ndal vetëm me kaq.

“Përveç 100 mijë euro para kesh ka edhe ari të vjedhur dhe demolim të brendshëm të shtëpisë”, ka thënë Ukaj të hënën, në një bisedë me Insajderin.

Policia e Kosovës njoftoi të hënën se rasti ishte lajmëruar në polici dhe vetëm një ditë më vonë kumtoi lajmin për arrestimin e një personi të dyshuar. Policia tha se i arrestuari për këtë rast është një person i moshës së mitur.

Mirëpo, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk e ka deklaruar asnjëherë në institucionet e shtetit prejardhjen e 100 mijë eurove të cilat i mbante në shtëpinë e tij.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër-Korrupsion në vitin 2017, ish-deputeti dhe asamblisti në Kuvendin Komunal të Prizrenit ka deklaruar si pasuri të tij një shtëpi në vlerë prej 80 mijë eurosh, veturën në vlerë prej 30 mijë eurosh dhe pagën e tij si anëtar i Kuvendit Komunal.

Por, Ukaj nuk ka deklaruar se mbante 100 mijë euro të holla kesh në shtëpinë e tij.

As në deklarimin e pasurisë për vitin 2014, në kohën kur Ukaj shërbente si deputet në Kuvendin e Kosovës, në formularin e ish-deputetit të LDK-së në Agjencinë Kundër-Korrupsion nuk ishte paraqitur prejardhja e pasurisë së deputetit. Madje, në atë formular nuk është plotësuar asgjsë, përveç funksioneve që ai mbante në një kompani private dhe funksionit të deputetit.

Mosdeklarimi i të hollave në agjencitë e autorizuara shtetërore, siç është Agjencia Kundër-Korrupsion (AKK), është shkelje ligjore dhe dënohet sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.

Temat: