22:34 / E Hënë, 08 Nëntor 2021 / FG

PDK dhe LDK lidhin koalicion në këtë komunë

Partia Demokratike e Kosovës në Malishevë ka nënshkruar sot marrëveshje për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, gjatë një takimi me qytetarët e kësaj komune.

Ai tha se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Malishevës dhe se do të punojë për zhvillim e punësim.

“Ne kemi një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës …. po sot gjithashtu dua t’ju njoftoj se kam nënshkruar edhe zyrtarisht marrëveshjen për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës… sot e kemi nënshkruar një marrëveshje të tillë e cila do të jetësohet ditëve në vijim. Kemi po ashtu mbështetjen e të gjitha strukturave të Vetëvendosjes, të Listës Guxo dhe kemi mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Malishevës”, tha ai.

Mbështetje për Isni Kilajn nga qytetarët e Komunës së Malishevës ka kërkuar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se ai do të jetë kryetar që do të punojë për interesat e qytetarëve dhe jo të partisë.

“Nuk është më e pranueshme që Malisheva duke qenë në zemër të Kosovës të shndërrohet në një stacion prej të cilit ik rinia për të kërkuar jetë më të mirë në Prishtinë ose në ndonjë qytet tjetër ose edhe jashtë Kosovës. Kjo duhet të ndryshojë dhe mundësia e vetme për të ndryshuar është nëse në qeverisje komunale nuk e kemi një qeveri e një kryetar që i shërben grupeve, që shërben njerëzve dhe individëve të caktuar, klaneve të caktuara. Duhet me pas një kryetar i cili ju shërben qytetarëve, ju shërben interesave të njerëzve të Malishevës dhe të familjeve tuaja e jo partisë dhe shefave që i ka në hierarki. Sot edhe para juve zotohem që Isni Kilaj ka me qeverisë në mënyrë autonome, sepse nuk e bëjmë kryetar ne prej Prishtinës, po e bëni kryetar ju”, deklaroi Krasniqi.