19:46 / E Diele, 09 Tetor 2022 / C E

Peja vazhdon si e pamposhtur, e fiton edhe derbin ndaj Trepçës

KB Peja vazhdon të jetë skuadra e vetme pa humbje këtë sezon në Superligën e Kosovës.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë, skuadra e drejtuar nga Can Sevim mposhti Trepçën.

Ndeshja e zhvilluar këtë të diel në palestrën “Karagaç”, përfundoi me rezultatin 83:72. Për mitrovicasit ishte kjo humbja e parë.

Rodney Purvis me 23 pikë dhe Brad Waldow me 19 sosh, ishin dy basketbollistët më të dalluar në fitoren e pejanëve.

Te “Xehetarët” u dallua Erjon Kastrati me 20 pikë.

Peja pas kësaj fitore ka 10 pikë dhe vazhdon të jetë lidere në tabelë, me bilanc prej pesë fitoreve nga po aq ndeshje.

Trepça renditet e katërta me 7 pikë, por me një ndeshje më pak.