18:37 / E Premte, 17 Gusht 2018 / indeksADMonline

Për çka akuzohet Ejup Qerimi nga Prokuroria Speciale?

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë, ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit, Rexhe Gjonbalajt lidhur me marrëveshjen PTK- ZMobile.

Gazeta Insajderi ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë në të cilën jepen detaje lidhur me rastin për të cilin akuzohen tre ish-zyrtarët e Lartë të Postës.

Në aktakuzë përshkruhen veprimet që kishte ndërmarrë ish-kryeshefi Ekzekutiv Ejup Qerimi.

Sipas dokumentit të siguruar nga Insajderi, Ejup Qerimi, gjatë kohës sa ka qenë kryeshef ekzekutiv i PTK-së (2012-2014) nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare me qëllim që t`i shkaktoj dëm të dëmtuarës “DARDAFON.net L.L.C” (Z-Mobile), duke mos e zbatuar kontratën e janarit 2009.

“Për çka ka ardhur deri te vonesa në liferimin e sim-kartelave, nuk ka furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i ka dhënë shërbimet 3G dhe 4G, të dëmtuarës Kompanisë “DARDAFON.net L.L.C” (Z-Mobile), përkundër faktit se lidhur me kontratën e lartshënuar nga Prokuroria Speciale e Eulex-it ishte ngritur aktakuza kundër pesë të akuzuarve për disa vepra penale, ndër të tjera edhe për lidhjen e kontratave të dëmshme”.

Për këtë aktakuzë sipas prokurorisë Gjykata Themelore në Prishtinë në qershor të vitit 2013, kishte liruar pesë të akuzuarit nga të gjitha pikat e aktakuzës.

“Po ashtu edhe pse nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ishte marrë vendimi nr.381, me datë 18.07.2013, për rezervimin e serisë së numeracionit jo gjeografik mobil (0) 45 7XX XXX, për përdorimin e mëtutjeshëm nga Operatori Virtual “DARDAFON.net L.L.C” (Z-Mobile), i pandehur kishte parashtruar në gjykatë padi për anulimin e vendimit të ARKEP-it”, thuhet në akatkuzë.

Më tej në aktakuzë thuhet se padi ishte refuzuar dhe vendimet kishin marrë formën e prerë.

Pavarësisht kësaj prokuroria pretendon se Qerimi me dijeni dhe dashje kishte refuzuar që të i zbatojë këto vendime të plotfuqishme.

“Edhe pse nga ana e zyrtarëve të dëmtuarës janë bërë shumë tentime për të arritur marrëveshje në këtë drejtim për përmbushjen e detyrimeve të cilat kanë rrjedhur nga marrëveshja e mëhershme si dhe vendimi i ARKEP-it, për çka e dëmtuara më vonë është detyruar që të udhëheq procedurën pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit”.

Gjykata e Arbitrazhit në dhjetor të vitit 2016, kishte vendosur në dobi të dëmtuarës, “për çka Telekomi i Kosovës ishte i detyruar që të i paguajë shumën prej 32,856,407.28 € të dëmtuarës – kompanisë “DARDAFON.net L.L.C” (Z-Mobile), duke mos llogaritur në këtë shumë edhe shpenzimet ekstra të krijuara lidhur me procedurat gjyqësore të mëvonshme”.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Qerimi ka kryer veprën penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.