20:14 / E Diele, 28 Tetor 2018 / indeksADMonline

Për nisjen e punimeve që Ahmeti mburrej, ankohen qytetarët që nga pluhuri po u ‘zihet’ fryma

Me datën 13 tetor patën filluar punimet në rrugën Eqrem Çabej në Prishtinë, njohur ndryshe si pjesa në afërsi të Fakultetit Filologjik.

Punimet në këtë rrugë po bëheshin si pasojë e dëmtimeve të bëra nga automjetet e rënda. Asfaltim, rregullim i trotuareve dhe parkingje të reja, pati thënë i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Por krenarinë që e tregonte për nisjen e këtyre punimeve përmes një video në Facebook,  Ahmeti duket se tani nuk po e bën me zë, pasi punimet janë tejzgjatur.

Kanë kaluar dy javë që kur nisën këto punime, e që tejzgjatja e tyre po u pengon thuajse gjithë qytetarëve në Prishtinë.

Madje sipas profesorit të UP-së, Milazim Krasniqi pluhuri që po shkaktohet nga këto punime, të zë frymën, transmeton Indeksonline.

Sipas Krasniqit me këtë mënyrë pune nuk po tregohet asnjë respekt për njerëzit dhe për shëndetin e tyre, as nga komuna dhe as nga kompania.

Postimi i plotë:

Po bëhen dy javë që ka filluar gjasme rregullimi i rrugës e trotuarit në gjatësinë nga NLB deri te Mensa e Studentëve. Pluhuri ta zë frymën, zhurma të shurdhon, puna pothuajse nuk duket. Ndonjë kompani normale këtë punë do ta kryente për dy ditë! Në këtë segment kalojnë me mijëra studentë e qytetarë të tjerë gjatë ditës, mes pluhurit asfiksues e zhurmës shurdhuese. Me këtë mënyrë pune nuk tregohet asnjë respekt për njerëzit dhe për shëndetin e tyre, as nga komuna as nga kompania. Po pse të tregohet, kur askush nuk reagon?! Po t’i ndodhte kjo në afërsi ndonjë kampusi universitar në vende normale, do të bëhej qameti!