11:32 / E Hënë, 01 Tetor 2018 / indeksADMonline

Për një muaj kanë ndodhur shtatë plaçkitje në banka

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi ka thënë se në dy muajt e fundit ka rritje të krimit dhe pasigurisë tek bizneset në Kosovë, veçanërisht në sektorin bankar.

Gjatë publikimit për indikatorin e matjes së Klimës të Biznesit, Rukiqi ka thënë se në çdo indikator ka ulje ka përkeqësim të gjendjes së bizneseve në tremujorin e dytë të këtij viti.

Sipas tij, vetëm 26 përqind e bizneseve presin shtim të numrit të punësimit. Sipas tij, tri barrierat kryesore mbesin konkurrenca jolojale, mungesa financiare dhe ekonomia informale.

“Një shqetësim është rritja e numrit të grabitjeve, e kemi ngritë këtë shqetësim. Vetëm nga gushti e deri në shtator, shtatë grabitje kanë ndodhur tek bankat që kanë krijuar mjaft shqetësime”, tha Rukiqi duke shtuar se edhe një numër i madh i vjedhjeve nëpër biznese në tërë Kosovën ka ndodhur.

Derisa Rukiqi nuk ka treguar për shumën e mjeteve që janë vjedhur në këto shtatë raste, por ka thënë se Kosova nuk e ka imazhin e mirë, dhe nëse vazhdohet kështu mund të ndikojë në tërheqjen e investimeve të huaja.