18:07 / E Mërkurë, 03 Tetor 2018

Për punën e njëjtë, gratë në Kosovë paguhen më pak se burrat

Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Bashkimi Evropian me rastin e lansimin e Analizës Gjinore në Kosovë, thanë se gratë mbeten të nënpërfaqësuara si zyrtare të zgjedhura në kuvendet komunale dhe Kuvendin e Kosovës, por edhe në fushën e drejtësisë, punësimit, bujqësisë dhe energjisë.

Të dhënat e analizës janë publikuar nga  Nicole Famsworth, një nga autoret e Analizës, e cila ka thënë se është bërë një punë e madhe për pasqyrimin e gjendjes në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ajo ka thënë se nga të gjeturat e analizës rezulton se gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet në Kuvend dhe në pozitat vendimmarrëse.

“E dimë që gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet në Kuvend, nga partitë, nëpër shërbyesit civil dhe në thelb kjo nuk është demokraci, nuk jemi të përfaqësuara në mënyrë të barabartë këtu. Shumica e legjislacioneve kanë mungesë të perspektivës gjinore, pjesë e rëndësishme është se organizatat e të drejtave të grave nuk janë konsultuar sa duhet dhe kjo është një sfidë kyçe kur është fjala për programimin e IPA-së, sepse është shumë vështirë të futet kjo perspektivë në ligj pasi ato të jenë miratuar”, u shpreh ajo.

Sipas Analizës Gjinore, gratë në Kosovë zotërojnë shumë pak pasuri, vetëm 17 për qind.

“E dimë se prona është rrallë në pronësi të grave, ata kanë vetëm 17 për qind të pronave, po ashtu e dimë se gratë janë shumë pak të përfaqësuara në sektorin e drejtësisë. Në lidhje me burrat kemi dashur të flasim jo vetëm për gratë po edhe për burrat, por 95 për qind e atyre që janë dënuar për krime në Kosovë janë burra, ndoshta është interesante se 96 për qind e fëmijëve të dënuar janë djem. Kështu që, kjo është e rëndësishme kur flasim për korrupsionin, kur t’i adresojmë çështjet tjera sundim të ligjit pse ka më shumë gjasa që meshkujt të kryejnë krime”, tha ajo.

Të gjeturat e Analizës Gjinore në Kosovës, sipas shefes së Zyrës së BE-së në Kosovës, Natalya Apostolova, kanë nxjerrë në pah disa pabarazi serioze. Përveç grave, ajo tha se analiza nuk i gjen mirë as burrat.

“Analiza Gjinore e Kosovës ka nxjerrë disa pabarazi serioze, përfshirë  edhe një përfaqësim shumë të ulët në të gjitha nivelet e vendimmarrjes politike, shkallë shumë shqetësuese të ulët të punësimit sidomos mes grave dhe qasje të pabarabartë për gratë dhe dhunë mjaftë të shprehur kundër grave. Në të njëjtën kohë, burrat janë më pak të përfaqësuar tek mësimdhënia parashkollor dhe shkollor dhe kanë të drejta të pabarabarta të kohës së kaluar me fëmijë. Transformimi i roleve tradicionale të grave dhe burrave është i rëndësishëm për t’u dhënë burrave dhe grave mundësi të barabarta në të gjitha aspektet e jetës politike, shoqërore dhe ekonomike”, tha ajo.

Apostolova u shpreh optimiste se Analiza Gjinore në Kosovë do të informojë për punën e anëtarëve të stafit në BE, në Qeverinë e Kosovës, shoqërinë civile dhe akterë të tjerë relevantë.

Krejt në fund ajo theksoi se barazia gjinore është prioritet i Bashkimit Evropian në marrëdhëniet e jashtme, përfshirë edhe Kosovën.

Ndërsa, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka folur për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për Barazi gjinore në programet IPA.

Ajo ka thënë se kanë integruar elementet e harmonisë gjinore në të gjitha dokumentet planifikuese sektoriale, sipas saj harmonizimi gjinor është përfshirë edhe në dokumentet e veprimit të cilat janë baza kryesore e zbatimit të projekteve të IPA-së.

“Jemi në fazën e planifikimit të IPA 3 që do të mbulojë vitin 2021-2027 dhe ideale do të ishte që ky prioritet i aspektit gjinor të bëhet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, do të jemi në kontakt dhe në koordinim të vazhdueshëm edhe me Agjencinë për Barazi Gjinore t’i përfshijmë edhe zyrtarët për barazi gjinore në institucionet e linjës, të cilët duhet të jenë të aftë, po gjithashtu, të kenë njohuri edhe mbi procesin e integrimit evropian në përgjithësi, por pastaj integrimi gjinor. Pasi që këto dyja lidhen shumë ngushtë edhe me procesin e planifikimit dhe zbatimit të fondeve të IPA-së. Megjithatë, përkundër sfidave ne konsiderojmë se kemi arritur që gjatë viteve të fundit të përmirësojmë ndjeshëm cilësinë e dokumenteve të IPA-së, për sa i përket harmonizimit gjinor”, tha ajo.

Ministrja Hoxha ka thënë se do të vazhdojnë përpjekjet për harmonizimin gjinor në kuadër të fondeve IPA, ndërkohë që ka potencuar se duhet të rritet prezenca e gruas në vendimmarrje.

Ajo ka përmendur edhe ndihmën zhvillimore që BE ka dhënë për Kosovën, ku për vitet 2007-2013 ndihma ka arritur vlerën mbi 600 milionë euro, ndërsa pritet që për periudhën 2014-2020 të ketë ndihmë më të madhe.

Ndërsa, zëvendës Avokati i Popullit, Mehdi Geci, ka treguar për të gjeturat e këtij institucioni sa i përket barazisë gjinore, ku ai ka thënë se në çështjen e punësimit dhe të trashëgimisë gratë diskriminohen.

“Diskriminimi gjinor ndodh në shumë fusha, po ndodh zakonisht edhe tek çështja e punësimit. Si institucion i Avokatit të Popullit kemi edhe ankesa që paraqiten që bëhen shkelje nga të drejtat nga organet e punësimit lidhur me çështjet gjinore. Ju e dini që shpesh herë kjo është edhe e përditshme që gratë paguhen më pak se burrat për punën e njëjtë të cilën e bëjnë. Çështja tjetër, e drejta e pronës, ligjet në fuqi i japin grave dhe burrave të drejta të barabarta në pronë me gjithë faktin se shumica dërrmuese e pronave janë të regjistruara në emër të burrave. Kjo është shqetësuese dhe është pengesë e madhe për një jetë të pavarur të grave dhe fakti se gratë në shumicën e rasteve nuk posedojnë ndonjë pronë private”, tha ai.

Sipas tij, në zonat ruarale ekziston përparësia e anëtarëve meshkuj për të trashëguar nga familja.

Analiza Gjinore e Kosovës është shkruar nga Rrjeti i Grave të Kosovës me kërkesë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.